Me sytë e penduar doli para Zotit… Vladimir Putin ndezi qiriun për paqe në Kishën e Shën Gjergjit Fitimtar të Moskës, ndërsa u mbajt shërbesa për Krishtlindjet Ortodokse.
Presidenti rus kështu nisi kremtimet për këtë festë të rëndësishme në vendin e tij.
Në urimin për popullin, Putin mbrojti rolin e Kishës Ortodokse të Rusisë duke folur për vlera morale dhe përkujdesje ndaj fqinjit, ndoshta duke harruar luftën që nisi kundër shtetit fqinj, Ukrainës, në shkurtin e vitit 2022. Presidenti rus më pas takoi Patriarkun Kirill, të cilit i kërkoi të bekonte krerët e ushtrisë.
“Dua t’ju kërkoj që t’i bekoni këto kryqe dhe ikona të cilat kam në plan t’ua bëj dhuratë të gjithë komandantëve tanë që po kryejnë detyra të rëndësishme gjatë operacionit special ushtarak në mbrojtje të territorit të atdheut. Mendoj se do të jenë veçanërisht të kënaqur që do t’i marrin këto simbole të besimit, veçanërisht të bekuara nga ju gjatë shërbimit të Krishtlindjes”, tha Putin.
Si një mrekulli për këtë festë erdhi dhe marrëveshja mes Ukrainës dhe Rusisë për shkëmbimin e rregullt të të burgosurve të plagosur apo sëmurë. Megjithatë situata në terren nuk ka pasqyruar festën. Forcat e Kievit konfirmuar se gjatë orëve të fundit kanë pasur më shumë se 200 përleshje të armatosura me ushtrinë e Rusisë. Sipas a2cnn, pjesa më e madhe e luftimeve janë zhvilluar në fronte si ai i Kursk, Pokrovsk dhe Kurakhove, me këtë lokalitet të fundit që pretendohet si i pushtuar nga trupat e Putinit. Por ushtria ukrainase thotë se aty po vazhdojnë luftimet e ashpra.
Forcat e mbrojtjes të Ukrainës pretendojnë se kanë rrëzuar 28 dronë nga 38 të lëshuar në total nga Rusia.