Të paktën 13 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmi rus në jug të Ukrainës

Evropë

Të paktën 13 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmi rus në jug të Ukrainës

Më: 8 janar 2025 Në ora: 18:06
Civilët ndihmojnë personelin e emergjencës të transportojë një person të plagosur në vendin e sulmit rus në një lagje industriale të qytetit të Zaporizhja, Ukrainë, më 8 janar.

Zyrtarët ukrainas njoftuan së të paktën 13 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një sulm ajror rus në qytetin jugor Zaporizhja.

Sulmi i së mërkurës u krye në një qark industrial në qytet, tha Ivan Federov, kryetar i administratës rajonale.

Pamje të publikuara nga shërbimet emergjente shfaqin trupat të coptuar dhe gjakosur njerëzish në trotuaret e qytetit, derisa zjarrfikësit nxitojnë për t’i shuar zjarret në vetura dhe në një ndërtesë administrative aty pranë.

“Nuk ka asgjë më mizore se sulmet ajrore në qytet, duke ditur që qytetarët e thjeshtë do të pesojnë”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Është e paqartë se çfarë arme është përdorur, megjithatë përmasat e dëmeve dhe numri i viktimave lënë të kuptohet se është përdorur një armë e fuqishme.

Autoritetet ukrainase, të cilat më herët kishin paralajmëruar përmes sirenave për sulme ajrore, paralajmëruan për mundësinë e një sulmi me raketë apo mbase me bombë - një armë e telekomanduar që hidhet nga ajri dhe që Rusia e ka përdorur me ndikim shkatërrues kundër mbrojtjeve ukrainase.

Nga zyrtarët rusë nuk pati komente të menjëhershme lidhur me sulmin.

Më herët, Ukraina pretendoi se e ka goditur një depo nafte brenda territorit rus, e cila shërbente për një bazë ajrore strategjike në rajonin jugor të Saratovit.

“Forcat ukrainase të mbrojtjes goditën një depo ruse të naftës në Engels” në rajonin e Saratovit, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale.

“Duhet të theksojmë se kjo depo nafte furnizonte me karburante bazën ajrore ushtarake, Engels-2, ku gjendet aviacioni strategjik i armikut”, u shtua në njoftim.

Që nga fillimi i vitit 2024, rafineritë ruse janë goditur rregullisht nga dronët ukrainas. Në disa prej tyre, njësitë kryesore të përpunimit të naftës janë dëmtuar dhe kanë kërkuar riparime. Rusia ka deklaruar se ka rikthyer pjesërisht kapacitetin në disa rafineri kyçe të naftës.

Ky sulm u krye derisa forcat ukrainase rifilluan operacionet e tyre sulmuese në disa drejtime brenda rajonit të Kurskut të Rusisë, gjë që, sipas analistëve, i jep Kievit përparësi në çdo bisedime të mundshme për armëpushim ose bisedime paqeje me Moskën.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, përsëriti më 7 janar se është i etur të shohë fillimin e negociatave me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë pasi të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, por nuk dha hollësi për kohën e mundshme të tyre.

Trump tha se dëshiron që negociatat të fillojnë sa më shpejt sepse “Rusia po humb shumë të rinj, dhe po ashtu edhe Ukraina”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat