Kancelari gjerman Olaf Scholz ende beson në fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani pavarësisht parashikimeve të dobëta.
Ai në një kongres të jashtëzakonshëm të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) sot në Berlin tha se zgjedhjet e ardhshme janë një "moment vendimi" në të cilin drejtimi do të lëvizë më pas Gjermania.
"Nëse Gjermania merr një kthesë të gabuar, atëherë pas zgjedhjeve ne do të zgjohemi në një vend krejtësisht tjetër. Kjo nuk duhet të ndodhë," tha Scholz.
Olaf Scholz u konfirmua zyrtarisht nga një shumicë e madhe në një kongres të jashtëzakonshëm të partisë si kandidati socialdemokrat për kancelar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 23 shkurtit.
"Unë u zgjodha kryebashkiak i Hamburgut dy herë në shkurt. Kjo frymëzon optimizëm. Pra, ne do të vazhdojmë të luftojmë," tha ai.
Scholz shtoi se SPD po përgatit lehtësime tatimore për familjet dhe ulje të pragut për normën më të lartë tatimore nga 93 në 68 mijë euro në vit.
Në frontin e politikës së jashtme, Scholz avokoi për ndihmë të mëtejshme për Ukrainën dhe paralajmëroi për popullaritetin në rritje të forcave të krahut të djathtë në Evropë, veçanërisht në Austrinë fqinje.
"Herbert Kickl është, nuk ka mënyrë tjetër për ta thënë, një ekstremist i djathtë. Situata në Austri është serioze," tha Scholz për kandidatin për kancelar austriak dhe lider të së djathtës ekstreme.
Në programin e saj, SPD avokon gjithashtu që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen sa më shpejt në Bashkimin Evropian.
“Përmes progresit të prekshëm në procesin e zgjerimit, siç është qasja e lirë në tregun e përbashkët, qytetarët duhet të ndjejnë se rruga drejt Bashkimit Evropian ia vlen”, thuhet në programin zgjedhor të SPD-së.
Gjashtë javë para zgjedhjeve parlamentare, SPD është në vendin e tretë me 15 për qind të mbështetjes së votuesve. Prin CDU/CSU me 31 për qind, pasuar nga AfD me 21 për qind. Zgjedhjet e parakohshme mbahen shtatë muaj para zgjedhjeve të rregullta, pasi Scholz shkarkoi ministrin liberal të financave në fillim të nëntorit.