​Ministri i Mbrojtjes i BiH mirëpret sanksionet e ShBA-së ndaj regjimit të Vuçiqit

Evropë

​Ministri i Mbrojtjes i BiH mirëpret sanksionet e ShBA-së ndaj regjimit të Vuçiqit

Më: 11 janar 2025 Në ora: 19:55
Zukan Helez

E mirëpres vendimin e autoriteteve të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj regjimit të Aleksandër Vuçiqit, veçanërisht industrisë së naftës të Serbisë, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës, Zukan Helez.

Helez tha se kjo sa për të ‘kthjellur’ regjimin e Aleksandër Vuçiqit, pas kremtimit që i bëri ditës antikushtetuese të Republikës serbe.

“Ulur në ‘dy karrige’, krijimi i një ‘bote serbe’ nën kujdesin e Rusisë dhe një politike agresive ndaj fqinjëve kanë bërë të vetën. Pasi lidershipi i regjimit të Vuçiqit festoi ditën antikushtetuese të Republikës Serbe, me kthimin në vendin e tyre u pritën me një kthjellim të papritur dhe me probleme të shumta. Duket se një litër benzinë, si në kohën e sanksioneve të vitit ‘93, do të vlejë sa ari i thatë në Beograd”, tha Helez.

Ai ka shtuar se i vjen mirë që Mbretëria e Bashkuar i është bashkuar këtyre sanksioneve dhe që BE-ja së shpejti do ta ndjekë këtë shembull, shkruan KosovaPress.

“Në radhë të parë më vjen mirë që bota demokratike është e bashkuar në luftën kundër regjimeve agresore dhe jodemokratike. Më vjen keq për qytetarët që do të jenë viktimat më të mëdha të regjimit të Vuçiqit dhe jam i sigurt se ka shumë prej tyre që duan të jetojnë nga puna e tyre në një shtet të lirë dhe ligjor. Sigurisht që protestat e studentëve janë një mundësi për të përmbysur regjimin. Të gjithë qytetarët duhet t'i bashkohen studentëve që kërkojnë një sistem të rregullt, një shtet ligjor, një shoqëri të lirë, qeverisje të përgjegjshme dhe luftë kundër korrupsionit. Gjithçka që është normale, por që regjimi i Vuçiqit e mbyt”, ka shtuar ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat