​O’Brien: Pjesa e Rusisë në NIS duhet të jetë zero

Evropë

​O’Brien: Pjesa e Rusisë në NIS duhet të jetë zero

Më: 12 janar 2025 Në ora: 18:16
Foto ilustrim

Biznesi i Industrisë Serbe të Naftës (NIS), i cili është pjesë e paketës së re të sanksioneve amerikane kundër sektorit energjetik rus, është i pranueshëm vetëm nëse pjesa e pronësisë ruse në NIS është - zero, deklaroi sot ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë James O'Brien.

Departamenti i Financave i SHBA-së njoftoi të premten se do të sanksionojë më shumë se 200 subjekte që operojnë në sektorin energjetik rus, duke përfshirë Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS).

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia u gjend “nën sanksione të rënda”, por se nuk i kishte shkaktuar ato.

Kushti i vetëm për Uashingtonin është që "të mos ketë dalje të parave në Rusi" nga NIS, tha sot për Radio Televizionin e Serbisë, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit.

"Ne nuk duam që Rusia të menaxhojë atë kompani kyçe në Serbi. Prandaj, e vetmja mënyrë që rreziku të jetë zero është që pjesa e pronësisë ruse të jetë zero. Ky është pozicioni me të cilin po hyjmë në këtë bisedë," tha O'Brien.

O'Brien vlerësoi se Serbia do të ndjekë një rrugë që në fund do të rezultojë në "pronësi konstruktive" të NIS dhe se ky duhet të jetë "rezultati përfundimtar".

Në vitin 2008, qeveria serbe ia shiti NIS Gazprom Neft të Rusisë dhe sipas të dhënave nga Regjistri Qendror i Letrave me Vlerë, Gazprom Neft dhe Gazprom kanë 56.15 për qind të pronësisë, ndërsa 29.87 për qind janë në pronësi të Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat