Shefi i NATO-s, Rutte i drejtohet evropianëve: Investoni në mbrojtje ose do të mësoni rusisht

Evropë

Shefi i NATO-s, Rutte i drejtohet evropianëve: Investoni në mbrojtje ose do të mësoni rusisht

Më: 14 janar 2025 Në ora: 17:58
Mark Rutte

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë fjalës në Parlamentin Evropian, ka bërë thirrje për rritje të konsiderueshme të investimeve evropiane në mbrojtje. Ai theksoi se siguria që aktualisht gëzohet nuk mund të garantohet me kapacitetet ekzistuese.

Rutte u shpreh i bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë përkushtimin ndaj NATO-s, por pranoi edhe qëndrimin e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, se vendet evropiane duhet të investojnë më shumë në mbrojtje.

Shefi i NATO-s e quajti të pamundur krijimin e një “NATO-je Evropiane” pa SHBA-në, të paktën për dy dekadat e ardhshme. Sipas tij, një nismë e tillë do të kërkonte që vendet evropiane të ndanin rreth 8 për qind të GDP-së për mbrojtjen, një shifër shumë e lartë krahasuar me investimet aktuale.

“Mbi 60 për qind e investimeve të përgjithshme të NATO-s vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Të gjitha vendet e tjera anëtare, përfshirë Kanadanë, kontribuojnë më pak se 40 për qind. Kjo tregon qartë se një NATO e fuqishme pa Amerikën është një iluzion. Dhe nuk na nevojitet një NATO tjetër, sepse aleanca aktuale ka funksionuar jashtëzakonisht mirë që nga Lufta e Dytë Botërore”, deklaroi Rutte.

Aktualisht, NATO kërkon që vendet anëtare të ndajnë të paktën 2 për qind të GDP-së për mbrojtje, një standard i vendosur para dhjetë vjetësh. Megjithatë, deri tani, vetëm dy të tretat e vendeve anëtare e kanë arritur këtë objektiv. Rutte paralajmëroi se rreziqet globale janë rritur, duke sugjeruar që kontributi minimal të rritet në 3.7 për qind të GDP-së.

Rutte nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke kërkuar shmangien e duplifikimit të përgjegjësive dhe burimeve. Ai theksoi se ky bashkëpunim është jetik për të përballuar kërcënimet që vijnë nga Rusia, por gjithnjë e më shumë edhe nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, të cilat po forcojnë lidhjet me Rusinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat