Media bjelloruse publikon një video propaganduese që shfaq gazetarin e burgosur të REL-it, Andrey Kuznechyk

Evropë

Media bjelloruse publikon një video propaganduese që shfaq gazetarin e burgosur të REL-it, Andrey Kuznechyk

Më: 14 janar 2025 Në ora: 21:31
Andrey Kuznechyk

Televizioni shtetëror bjellorus, ONT, ka njoftuar për një film të ri propagandues me gazetarët e Radios Evropa e Lirë, të cilët i akuzon se gjoja kanë “tentuar t’ia vënë flakën Bjellorusisë”.

Mbrëmjen e 14 janarit, ONT transmetoi episodin e parë të serisë së titulluar “Liria e Shprehjes”.

Një segment prej 12-minutash shfaqi gazetarin Andrey Kuznechyk, i cili është i burgosur mbi tre vjet. Në video, Andrey duket më i dobët në fizik dhe i lodhur.

Intervista ishte incizuar në kushte të burgut, me gjasë në një burg të KGB-së në Minsk, edhe pse lokacioni ende mbetet i paqartë. Bora shihet duke rënë, ndërkaq në prapavijë shihen grilat dhe muret e burgut.

Andrey, i veshur me një xhaketë dhe me një kapele, ai fliste me një ton të qetë, por dukej i lodhur. Segmenti përfundoi me pamjen e Andreyit që po shoqërohej dhe po mbështetej për muri nga një roje.

Shërbimi bjellorus i Radios Evropa e Lirë ndjek politikën që të mos citojë deklarata që janë dhënë nën rrethana të paqarta nga individë që ndodhen në ndalim.

Në fund të videos, televizioni i kontrolluar nga shteti prezantoi episodin e radhës të serisë propaganduese, ku shfaqej gazetari i burgosur i Shërbimit bjellorus të REL-it, Ihar Losik, ish-gazetari veteran, Ihar Karney, dhe aktivisti opozitar Yuras Zyankovich, i cili ka shtetësi bjelloruse dhe amerikane.

Kuznechyk, baba i dy fëmijëve, u arrestua më 25 nëntor 2021, dhe fillimisht u dënua me 10 ditë burgim nën akuza për huliganizëm, që ai i ka mohuar.

Pasi e vuajti këtë dënim, Kuznechyk nuk u lirua, por ndaj tij u ngrit akuza se kishte krijuar një grup ekstremist, një lëvizje që zyrtarët nuk e kishin bërë publike për muaj të tërë për të afërmit e tij dhe kolegët.

Më 8 qershor 2022, gjykata rajonale e Mihiljout, e gjeti Kuznechykin fajtor dhe e dënoi me gjashtë vjet burgim. Gjyqi ndaj tij zgjati vetëm një ditë.

Grupet për të drejtat e njeriut në Bjellorusi kanë thënë se Kuznechyk, i cili punon për Shërbimin bjellorus të REL-it, është i burgosur politik.

Kuznechyk, që ka thënë se është i pafajshëm, dhe afër 150 të burgosur të tjerë politikë bjellorusë, përfshirë edhe gazetarin tjetër të REL-it, Ihar Losik dhe Viktar Babaryka që synoi të kandidonte për president, po vuajnë dënimin në të njëjtin burg në qytetin verior të Navapoltaskut.

Ky burg njihet si qendrat më kufizuese në shtet.

Që nga zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të vitit 2020 që nxitën protesta masive lidhur me fitoren e sundimtarit autoritar, Alyaksandr Lukashenka, dhjetëra mijëra bjellorusë janë arrestuar për shkak të kundërshtimit ndaj regjimit.

Shtypja e protestave ka bërë që shumica e politikanëve opozitarë, që thonë se zgjedhjet u vodhën, të largohen nga shteti nga frika për sigurinë e tyre.

Shumë qeveri perëndimore refuzojnë të njohin rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk e konsiderojnë Lukashenkan udhëheqës legjitim të shtetit.

Shumë shtete kanë vendosur një sërë rundesh të sanksioneve kundër regjimit të tij në përgjigje të shtypjes së disidencës në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat