Kur ka filluar të merrte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga prilli i vitit 2022, transportues të blinduar me gushe M113 nga magazinat e Gardës Kombëtare, duke u quajtur nga mediat ukrainase dhe ruse si një tjetër rast ku Uashingtoni i dërgon Kievit “mbetje” të tijat.
Afro tri vjet më vonë, këta transportues po vlerësohen shumë në front dhe kanë marrë nofkën “taksi luftarak” – të besueshme, të afta për të transportuar ushtarët në zonat e luftës dhe ofrojnë mbështetje logjistike dhe evakuim mjekësor.
Zhvillimi i transporterit M113 ka filluar në fund të viteve ’50 dhe ka filluar të përdoret për herë të parë në Evropë në vitin 1961. Ata u përdorën për herë të parë në betejë një vit më vonë në shërbimin e ushtrisë së Vietnamit Jugor. Gradualisht, ata u bënë mjeti më i përdorur nga ushtria amerikane dhe deri sot përdoren si mjete ambulancë, për transportin e municionit ose si mjete komanduese, sipas raportimeve të gazetës The Kyiv Post.
Ukraina ka marrë rreth 250 versione të ndryshme të transporterëve M113 nga SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë. Kur ata filluan t’i merrnin, ushtarët ukrainas u ankuan se ishin trajnuar për mjetet luftarake Bradley, por morën vetëm këto “mjete të vjetra”.
Megjithatë, pasi transportuesit e vjetër u pajisën me pjesë çeliku të dizajnuara për të ndaluar municionin e shumicës së armëve anti-autoblinda, ata u bënë një pjesë të pazëvendësueshme të arsenali ukrainas. Drejtuesi i njërit prej këtyre transportuesve, Vitalij Kovalchuk, tha në një video të publikuar në Zërin e Amerikës se, që nga nëntori i vitit 2022, kishte mbijetuar disa sulme ruse në M113.
“Njësia jonë ishte plotësisht e rrethuar dhe duhej të sillnim përforcime nën zjarr të fortë. Fillimisht na qëlluan me armë të lehta, pastaj goditën pjesën e përparme të mjetit me një raketë. Brenda kishte zjarr, por mjeti, pavarësisht dëmtimeve, vazhdoi të lëvizte. Ishte si një mrekulli”, tha Kovalchuk.
Artilieri 23-vjeçar nga ekipi i Kovalchukut, Oleksij Dmitrenko, tha se, përkundër moshës së tyre, transporterët M113 janë ende më të mirë se mjetet luftarake sovjetike BMP-1 ose BMP-2.
“Për dallim nga BMP-të, ku në shumicën e rasteve viktimat janë thuajse të sigurt, M113 mban shumë mirë ndaj goditjeve të drejtpërdrejta dhe indirekte dhe ofron mbrojtje më të mirë për ekuipazhin dhe pasagjerët”, shpjegoi Dmitrenko.