​Manovra e Vuçiq me referendumin hidhet poshtë nga opozita

Evropë

​Manovra e Vuçiq me referendumin hidhet poshtë nga opozita

Më: 15 janar 2025 Në ora: 18:01
Aleksander Vuçiq

Opozita refuzoi ftesën e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për një referendum konsultativ që do të vinte në provë besimin e votuesve, të cilin ata e shohin si përpjekje për të larguar vëmendjen nga protesta dhe aksioni masiv i studentëve të cilët prej më shumë se një muaj kanë bllokuar rreth 60 fakultete.

Vuçiq dje i bëri thirrje opozitës që të kërkojë mbajtjen e të ashtuquajturit referendum këshillues për besimin që ai ka si kreu i shtetit. Thirrjen e Vuçiq sot e kanë përsëritur edhe shefi i grupit përfaqësues të Partisë Progresive Serbe Milenko Jovanov dhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq.

Thirrja pasoi një sondazh të opinionit publik nga organizata CRTA, sipas të cilit 61 për qind e qytetarëve serbë mbështesin protestat dhe bllokadat e studentëve, të cilat filluan pas vdekjes së 15 personave nga rrëzimi i tendës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor, dhe sulmet nga banditë dhe provokatorët ndaj pjesëmarrësve të atyre protestave.

Vuçiq i sheh protestat e studentëve dhe mbështetjen në rritje që ata kanë në publik si “presion politik ku dikush nuk do zgjedhje, por të vijë në pushtet me dhunë”, dhe rezultatet e sondazhit ia atribuon ndikimit të huaj.

Por, liderët e opozitës thanë - më pak se 24 orë pas thirrjes së Vuçiq - se "nuk do të marrin pjesë në lojën dhe farsën e tij" dhe se duke imponuar temën e referendumit, ai po përpiqet të largojë vëmendjen e publikut nga protestat, të cilat po marrin mbështetje gjithnjë e më masive.

Opozita tha se zgjidhja e vetme e krizës aktuale është një qeveri tranzitore, e cila me mbështetjen ndërkombëtare do të siguronte kushte për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, por Vuçiq e hedh poshtë këtë mundësi.

Studentët, mesazhi kryesor i të cilëve është se duan të luftojnë korrupsionin duke ushtruar presion mbi institucionet dhe për një shoqëri të lirë, bëjnë thirrje për një grevë të përgjithshme në protesta.

Drejtoresha e programit të Qendrës për Hulumtim, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA) Rasha Nedelkov ka treguar se anketa ka treguar se sa qytetarë mbështesin protestat dhe bllokadat e studentëve duke kërkuar që institucionet të fillojnë të bëjnë punën e tyre.

Ajo tha se 60 për qind e qytetarëve i mbështesin protestat dhe se është shqetësuese që 70 për qind e njerëzve besojnë se kjo është një krizë e rëndë sociale, ndërsa 60 për qind e tyre besojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar.

"Kjo do të thotë se edhe votuesit që në zgjedhje i dhanë mbështetjen e tyre disa prej autoriteteve, tragjedia në Novi Sad çoi në ndjenjat më të thella të shqetësimit dhe frikës. Kjo është një rrethanë që shoqëria dhe mbi të gjitha institucionet duhet ta kuptojnë”, tha Nedelkov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat