​Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë braktis X - kalon në WhatsApp

Evropë

​Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë braktis X - kalon në WhatsApp

Më: 16 janar 2025 Në ora: 20:08
Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë

Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë do të pezullojë llogaritë e përdoruesve në rrjetin social X, i cili është kritikuar shpesh që kur u mor nga miliarderi Elon Musk.

Ministria njoftoi se nuk do të publikonte në mënyrë aktive në platformë deri në një njoftim tjetër, përveç në "raste të jashtëzakonshme" siç janë përgjigjet ndaj fushatave dezinformuese.

“Arsyeja kryesore e këtij vendimi është se shkëmbimi objektiv i argumenteve është bërë gjithnjë e më i vështirë”, thuhet në deklaratë.

Ky vendim vjen pasi Elon Musk priti në X një nga lideret e Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, Alice Weidel, duke thënë se partia e saj është "e vetmja që mund ta shpëtojë Gjermaninë" dhe u bëri thirrje gjermanëve të votojnë për të në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në të ardhmen, Ministria e Mbrojtjes do të përdorë kanalin WhatsApp për të publikuar informacione rreth ngjarjeve dhe vendimeve përkatëse të ministrit.

Ministria mbetet e pranishme në Instagram dhe YouTube, përveç faqes së saj zyrtare.

Kohët e fundit, eurodeputetët i bënë thirrje Komisionit Evropian që të hetojë dukshmërinë e postimeve në X, dhe nëse Musk favorizon postimet e tij, gjë që do të ishte shkelje e ligjit të BE-së.

Miliarderi është afruar me Donald Trump dhe kritikët pretendojnë se pas blerjes së X, platforma është vërshuar nga dezinformatat dhe lajmet e rreme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat