​Vetura përplas studenten 20-vjeçare në Serbi

Evropë

​Vetura përplas studenten 20-vjeçare në Serbi

Më: 16 janar 2025 Në ora: 20:59
​Vetura përplas studenten 20-vjeçare në Serbi

Një studente e Fakultetit Juridik me inicialet S. P. është goditur sot nga një veturë gjatë bllokadës në kryqëzimin e rrugës Ruzvelt dhe Maria në Beograd, ndërsa shoferi është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

20-vjeçarja është pranuar në gjendje të përgjithshme stabile, njoftoi Qendra Klinike e Serbisë.

Policia identifikoi dhe gjeti drejtuesin M. P. (36), i cili dyshohet se ka goditur me Ford Focus 20-vjeçaren dhe më pas është larguar. Shoferit i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, për veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë dhe lëndën e ka marrë Prokuroria e Lartë Publike.

Dyshohet se në automjet ndodheshin edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve i mitur.

Pamjet shqetësuese të kapura nga dëshmitarët okularë tregojnë shoferin duke u kthyer në trotuar dhe duke goditur një studente, e cila u hodh në çatinë e makinës nga forca e goditjes. Shoferi vazhdoi të lëvizte me vajzën në çati, e cila më pas rrëshqiti dhe ra në rrugë.

Brenda një ore, studentët e Fakultetit Juridik, të cilëve iu bashkuan edhe kolegë nga fakultetet e tjera të Beogradit, bllokuan trafikun dhe u bënë thirrje qytetarëve që t'u bashkohen atyre në dënimin e dhunës.

Kujtojmë, qytetarët dhe studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike, Juridikut, Arkitekturës, Inxhinierisë Mekanike, Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Teknologjisë dhe Metalurgjisë kanë bllokuar për 15 minuta kryqëzimin Ruzvelt dhe Maria për të nderuar 15 viktimat nga shembja e tendës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat