Sanksionet ndaj NIS-it si rrugë për uljen e ndikimit rus në Serbi

Evropë

Sanksionet ndaj NIS-it si rrugë për uljen e ndikimit rus në Serbi

Më: 16 janar 2025 Në ora: 23:51
Miodrag Kapor

Sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) kanë hapur çështjen e zgjidhjes së pronësisë shumicë ruse në këtë kompani kyçe për Serbinë. Moska menjëherë kërkoi konsultime urgjente, ndërsa Beogradi po përballet me afate të shkurtra dhe vendime të vështira, duke u përpjekur të balancojë kërkesat e Uashingtonit dhe Moskës.

Një pjesë e opinionit në Serbi vlerëson se sanksionet amerikane kundër NIS-it ishin të pritshme, sepse synojnë uljen e ndikimit rus në rajon, gjë që ishte e dukshme që nga agresioni rus ndaj Ukrainës. Miodrag Kapor, ekspert për politikën energjetike, mendon se kjo mund të jetë një mundësi për Serbinë që të rishikojë sektorin e saj energjetik.

 “Shqetësimi i autoriteteve serbe buron nga përpjekja për të mbrojtur interesat ruse në rajon. Por këto sanksione, para së gjithash, janë në interes të Serbisë dhe interesit serb, edhe pse publikisht paraqiten si presion. Ky është presion për të ulur ndikimin rus në rajon. Ata, natyrisht, nuk mund ta bëjnë këtë pa miratimin e Kremlinit dhe tani janë në këtë situatë të vështirë, duke u përpjekur që përmes negociatave me SHBA-në të minimizojnë sa më shumë dëmin për interesat ruse,” thotë Kapor për RTK.

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, deklaroi se Moska është në kontakt të vazhdueshëm me Beogradin dhe pret një përgjigje. Pas vendimit të Uashingtonit, Beogradi po shqyrton daljen e Rusisë nga pronësia, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi se Serbia ka afat deri më 25 shkurt për ta zgjidhur këtë çështje. Ai tha se Serbia nuk është objektivi, por se kjo është një goditje ndaj kompanive ruse.

Ambasadori në largim i SHBA-ve në Serbi, Christopher Hill, deklaroi për TV Insajder se Rusia po përdor rafinerinë e naftës në Serbi për të financuar luftën dhe theksoi se “Rusia duhet të largohet nga NIS-i.” Ai shtoi se afati 45-ditor për largimin e Rusisë nga pronësia mund të jetë fleksibël nëse ekziston një plan i qartë.

Beogradi ka nisur bisedimet me administratën amerikane, ndërsa priten edhe konsultime me palën ruse. Zgjidhja e çështjes së pronësisë shumicë ruse në NIS përfshin disa opsione të mundshme, por ende nuk është e qartë nëse ato janë zyrtarisht në tryezë.

Opsionet që Beogradi aktualisht po shqyrton përfshijnë nacionalizimin ose blerjen e aksioneve ruse. Megjithatë, të dyja opsionet sjellin rreziqe të mëdha. Nacionalizimi mund të dëmtojë marrëdhëniet me Rusinë, ndërsa blerja mund të jetë problematike për shkak të mundësisë që fondet e paguara Rusisë të përdoren për luftën në Ukrainë. Për këtë arsye, për këtë temë do të zhvillohen negociata me Uashingtonin, thotë Miodrag Kapor.

“Opsionet për Serbinë varen nga ajo që do të thotë Ministria e Financave e Amerikës. Nëse qeveria serbe vendos, ata do të dëshironin të plotësonin sa më shumë interesat ruse, kështu që kjo varet nga presioni i administratës amerikane,” shton ai.

 “Gazprom Neft” rus me kompanitë tjera ruse aktualisht zotërojnë 56% të aksioneve të NIS-it, ndërsa Serbia ka 29%. Gjatë vizitës së fundit të një delegacioni të lartë amerikan në Beograd, u theksua se tërheqja e plotë e kapitalit rus nga NIS-i është e vetmja zgjidhje e pranueshme. Si do ta arrijë këtë Serbia, mbetet të shihet, por është e qartë se vendimi do të ketë pasoja afatgjata, jo vetëm ekonomike, por edhe gjeopolitike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat