Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të premten sanksione kundër pesë individëve dhe një kompanie, të cilët i kanë ndihmuar presidentit të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska (RS), Millorad Dodik, dhe familjes së tij, të pasurohen në kurriz të popullit.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi gjithashtu se ka vendosur sanksione edhe kundër tetë individëve që organizuan festimin e ditës antikushtetuese të këtij entiteti në fillim të këtij muaji.
Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha në një komunikatë se i ka futur në listën e zezë Pavlo Çoroviqin, (bashkëshortin e vajzës së Dodikut, Goricës), Radmila Bojaniqin, Nemanja Reljinin, Sinisha Dodikun dhe Marko Gujançiqin, për shkak se i kanë ndihmuar Dodikut dhe familjes së tij të pasurohen.
Për organizimin e festimit të ditës antikushtetuese të RS-së, sipas udhëzimeve të Dodikut, u vendosën sanksione ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të këtij entiteti, Sinisha Karan, shefit të kabinetit të Dodikut, Danijelo Dragiçeviq, shefit të Protokollit të RS-së, Goran Rakoviq, sekretarit të Përgjithshëm të RS-së Dalibor Paniq, drejtoreshës së Radios dhe Televizionit të RS-së, Dijana Milankoviq, presidentit të Gjykatës Kushtetuese RS-së, Gerard Selman, presidentit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të RS-së, Rajko Kuzmanoviq, dhe shefit të kabinetit të kryetarit të Kuvendit të RS-së, Goran Filipoviq.
Republika Sërpska, e shënoi më 9 janar me një paradë në rrugët e Banjallukës ditën e saj, të cilën Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka shpallur tri herë jokushtetuese.
Paraprakisht, Ambasada amerikane në Sarajevë kishte bërë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese.
OFAC tha se vendimin për sanksionet e së premtes e mori pas urdhrit ekzekutiv të 8 janarit të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili zgjeroi fushëveprimin e autoriteteve amerikane për t’i luftuar aktivitetet që minojnë ose tentojnë të minojnë kornizat rajonale të paqes dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor.
"Veprimet e sotme vunë në pah përpjekjet e vazhdueshme të Dodikut për ta minuar kuadrin demokratik dhe shumetnik që definon Bosnje e Hercegovinën moderne", tha ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Departamentit të Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Bradley T. Smith.
Ai shtoi se SHBA-ja, duke përdorur fuqitë e saj të zgjeruara, "mbetet e përkushtuar për të penguar çdo përpjekje të Dodikut dhe miqve të tij për t’u pasuruar dhe për ta destabilizuar rajonin"./REL