Ivan Videnoviç, profesor në Universitetin e Beogradit, ka komentuar incidentin e ndodhur gjatë protestave të së enjtes në Beograd, ku një makinë u fut mes turmës dhe aksidentoi një studente.
Gjatë fjalës së tij në programin Balkan Talks në Euronews Albania, Videnoviç shprehu dyshimet se aksidenti mund të ketë qenë i planifikuar nga individë që mbështesin qeverinë e Aleksandar Vuçiç.
Ai theksoi se, sipas mendimit të tij, ky ishte një aksident i organizuar nga ata që janë kundër protestave dhe që synojnë të prishin demonstratat.
“Nëse e shikon me vëmendje pamjen e aksidentit, makina kalon drejt trotuarit dhe jo drejt rrugës, duke goditur vajzën e cila përfundoi mbi çatinë e makinës dhe u rrëzua duke pësuar lëndime,” tha Videnoviç.
Profesor Videnoviç shtoi se këto incidente janë të zakonshme për ata që janë kundër protestave dhe se individët që shkaktojnë aksidente të tilla janë të lidhur me qeverinë në pushtet, të udhëhequr nga Vučiç.
Ai përfundoi duke thënë se, megjithëse nuk mund të konkludohet se aksidenti ishte i qëllimshëm, besohet se ai ishte shkaktuar nga një person i përgatitur dhe i lidhur me pushtetin.