Spanja është pararojë në fushën e gjenerimit të karburanteve të rigjenerueshme. Dy rafineri ekzistojnë ndërkohë dhe më 2025 pritet të pasojë edhe një firmë e tretë. Avionët fluturojnë me bio-kerozinë.
Gjithnjë e më shumë avionë në Spanjë po fluturojnë me bio-kerozinën e përftuar nga vaji i mbetur i gatimit. Studiuesit thonë, se kjo lëndë e përftuar kursen lëndën e parë dhe ka emisione neutrale ndaj mjedisit, krahasuar me kerozinën tradicionale.
Në një pikë furnizimi me karburant në Madrid mund të dorëzohet vaji i përdorur në tenxheret e skuqjes. Në këmbim jepen bonuse për furnizim me karburant. Sepse për sipërmarrjen vaji i përdorur për skuqje është një lëndë e parë me vlerë.
Një potencial gjigand
Vaji i përdorur në kuzhinë mblidhet. Me anije ai transportohet në Kartagjenë, në këtë rafineri krejt të re, për prodhimin e karburanteve të favorshme ndaj mjedisit. Emilio Mayoral, inxhnier rafinerie thekson:”Ka dy reaktorë. Ato i konvertojnë komponentët nga vajrat e mbetura të kuzhinave në të njëjtat elementë përbërës si tek karburantet me bazë nafte. Lënda kimike që përftohet është ekzaktësisht e njëjta si karburantet e naftës.”
Vetëm pak muaj është në funksionim kjo sipërmarrje dhe impianti punon me kapacitet të plotë. Emilioe Mayoral, vë në dukje më tej, se vetëm sot kompania prodhon tetë metër kub karburant në orë. Kjo sasi është 8000 litra kerozinë e favorshme për mjedisin.
E që të mbarojë një ditë lënda e parë, me gjasë nuk mund të ndodhë. Sepse ka mjaft pika grumbullimi të vajit të përdorur dhe një potencial gjigand, thonë prodhuesit e karburantit.
Estibaliz Pombo, eksperte e energjive alternativë thotë se „të gjithë e dinë, se kjo është e rëndësishme, që të grumbullohet vaji i konsumuar në kuzhina. Sot ne grumbullojmë vetëm 5%. Por ky vaj i përdorur mund të ketë një përdorim të dytë si karburant konform normave për ruajtjen e mjedisit."
Objektiv ambicioz i Iberias
Në aeroportin e Madridit – përdoret karburanti nga rafineria e re. Provat kanë treguar, se, motorët nuk kanë asnjë problem me këtë kerozinë të përftuar nga vaji udhqimor. Deri në vitin 2023 shoqëria ajrore spanjolle Iberia synon që 10 përqind të serbatorëve të avionëve t'i furnizojë me këtë lloj kerozine. Një objektiv mjaft ambicioz ky.
Por kerozina e qendrueshme e përftuar nga vaji ushqimor, kushton aktualisht tri herë më shumë se kerozina e zakonshme. Çmimet megjithatë mund të ulen, sepse po rritet oferta.
Ndërkohë në Andaluzi po krijohet një tjetër rafineri, që do të prodhojë kerozinë nga mbetjet. Kjo do të jetë më e madhja në llojin e saj në Europë. „Ne përpunojmë yndyrnat shtazore dhe mbetjet nga industria agrare dhe ajo ushqimore", thotë Marta Cencillo, eksperte e qarkullimit ajror konform ruajtjes së mjedisit.
Abu Dhabi investitor
Investitori më i madh i këtij impianti vjen pikërisht nga Emirati i Abu Dhabit, që është i njohur për biznesin me naftën. Atje siç duket besojnë, se në të ardhmen mund të fitojnë para me karburantet konform mjedisit.
Nxitës për këtë zhvillim të ri është edhe Bashkimi Europian. BE-ja ka përcaktuar, që avionët duhet të furnizohen me dy përqind kerozinë të përshtatshme për mjedisin. Deri në vitin 2030 kuota duhet të arrijë në gjashtë përqind. Ndërsa për 2050 është parashikuar që 70 përqind e kerozinës të jetë e qendrueshme./DW