Zëvendës i dërguari i Rusisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Dmitry Polanski, i është përgjigjur kërcënimeve të presidentit të SHBA-së Donald Trump për sanksione të reja nëse Moska zyrtare nuk arrin marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Polanski tha Kremlini së pari duhet të shohë se në çfarë do të konsistonte marrëveshja që i referohet Trump.
"Nuk është vetëm një çështje e përfundimit të luftës. Është, mbi të gjitha, një çështje e trajtimit të shkaqeve rrënjësore të krizës ukrainase. Pra, ne duhet të shohim se çfarë do të thotë "marrëveshje" për presidentin Trump. Ai nuk është përgjegjës për atë që SHBA ka bërë në Ukrainë që nga viti 2014, duke e bërë atë "antiruse" dhe duke u përgatitur për luftë me ne, por tani është në fuqinë e tij për të ndaluar këtë politikë dashakeqe”, tha ai.
Trump sot i bëri thirrje Moskës që të arrijë një marrëveshje me Ukrainën përmes rrjetit social Truth Social, duke thënë se "nëse nuk bëjmë një marrëveshje dhe së shpejti, nuk kam zgjidhje tjetër veçse të vendos nivele të larta taksash, tarifat dhe sanksionet.”
Kujtojmë, SHBA ka vendosur tashmë sanksione dhe embargo për importet nga Rusia në disa raste, të cilat janë ulur ndjeshëm, nga 4.3 miliardë dollarë nga janari në nëntor 2023 në 2.9 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë në 2024. Metalet dhe plehrat artificialë janë veçanërisht të spikatur në mesin e produkteve të importuara nga SHBA.
Gjatë fushatës presidenciale, Trump premtoi të ndalojë luftën në Ukrainë "brenda 24 orëve" dhe që nga inaugurimi i tij të hënën, 78-vjeçari republikan ka rritur presionin ndaj homologut të tij rus.
Disa orë pasi bëri betimin, Trump tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dëshironte të arrinte një marrëveshje, por se ai nuk e dinte nëse Putin donte të bënte të njëjtën gjë.