Politikanët kryesorë të CDU/CSU kanë bërë sot thirrje për t'i dhënë fund politikës aktuale të migracionit dhe mbylljen e kufijve për refugjatët, pas sulmit në Aschaffenburg, ku një afgan vrau dy persona, duke përfshirë një fëmijë.
Kandidati për kancelar i CDU/CSU Friedrich Merz njoftoi se, nëse bëhet kancelar, do të vendosë kontrolle në të gjithë kufijtë "që nga dita e parë" dhe do të parandalojë çdo përpjekje për të hyrë ilegalisht në vend.
"Uji ka tejmbushur gotën. Ne jemi përballur me mbeturinat e një politike të gabuar emigracioni dhe azili që ka zgjatur për dhjetë vjet. Kjo vlen edhe për ata që duan të kërkojnë mbrojtje në Gjermani," tha Merz, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
Ai argumentoi se rregullat e BE-së për azilin "qartësisht nuk funksionojnë" dhe se kjo është arsyeja pse Gjermania duhet të ushtrojë të drejtën e saj për të mbrojtur interesat kombëtare.
Merz, njoftoi gjithashtu një rritje të kapacitetit të qendrave të paraburgimit për dëbim.
“Dëbimet duhet të kryhen çdo ditë”, tha ai duke shtuar se kjo përfshin dëbimet në vendet e BE-së ku azilkërkuesit shkelin në tokën evropiane.
28-vjeçari afgan që sulmoi një grup fëmijësh në një park në Aschaffenburg të mërkurën, duke vrarë një dyvjeçar dhe një kalimtar që erdhi në ndihmë, nuk kishte të drejtë banimi në Gjermani.
Sipas ministrit të Brendshëm bavarez, i dyshuari ka hyrë në BE përmes Bullgarisë, por deportimi i tij në këtë vend ka dështuar për shkak se autoritetet e migracionit në Bavari nuk kanë respektuar afatet e përcaktuara në rastin e dëbimit.
Kryetari i CSU, Markus Soeder, ka paralajmëruar gjithashtu ndryshime drastike në politikën ndaj refugjatëve dhe azilkërkuesve.
"Gjermania nuk mund të përballojë më migracionin, dhe jo vetëm në aspektin financiar... Ne nuk mund të zbatojmë politikën e migracionit në dëm të qytetarëve tanë," tha Soeder.
Ai njoftoi gjithashtu se, nëse fiton zgjedhjet, do të ndalojë hyrjen në Gjermani për të gjithë personat pa dokumente të vlefshme udhëtimi, përfshirë të gjithë ata që dëshirojnë të kërkojnë azil në Gjermani.
Në sondazhet një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, CDU/CSU prin me rreth 30 për qind, pasuar nga AfD me 20 për qind. Lidershipi i CDU/CSU ka përjashtuar vazhdimisht mundësinë e bashkëpunimit me AfD-në.