Analistja Ivana Stradner ka komentuar protestat e sotme masive në gjithë Serbinë kundër regjimit të Aleksandar Vuçiq, duke thënë se ato ngjasojnë me protestat e mëhershme ndaj kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq.
Qytetarët i janë bashkuar sot grevës së përgjithshme dhe protestave të studentëve të cilët prej muajsh kërkojnë që autoritetet e Serbisë të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në stacionin hekurudhor më 1 nëntor 2024.
“Lajm i mirë nga Serbia. Protestat e mëdha kundër qeverisë në Serbi. Numri i njerëzve në rrugët e Beogradit është si në vitet e 90-ta kundër Millosheviq. Do të duhet pak kohë, por ky është fillimi i fundit për regjimin autoritar të Vuçiq”, ka shkruar Stradner në X.
Pezullimit të punës iu bashkuan sipërmarrës të shumtë privatë, punonjës në shkolla dhe kolegje, biblioteka, klinika veterinare, teatro, muzikantë dhe disa media.
Në mbështetje të të gjitha kërkesave të studentëve, punonjësit e Qendrës Klinike Universitare (UKC) Nish.
Nxënësit e shkollave të mesme që qëndruan në heshtje për 15 minuta në kryqëzimin e rrugëve Knez Milosh dhe Nemanjina në qendër të Beogradit.
Në Beogradin e Ri ka ndodhur një incident kur një ngasës ka goditur me veturë një 26-vjeçare, e cila është transportuar në urgjencë, ndërkohë që policia ka arrestuar ngasësin e automjetit.
Profesorë dhe qytetarë të Kralevës u mblodhën para gjimnazit të Kralevës në mbështetje të studentëve dhe në përgjigje të grevës së përgjithshme. Protesta pati në Suboticë dhe Sombor, ku morën pjesë disa mijëra njerëz.
Studentët për më shumë se dy muaj kanë bllokuar rreth 60 fakultete në Serbi për shkak të tragjedisë në Novi Sad. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve të Serbisë të pezullojnë të gjitha aktivitetet, duke thënë se “greva e përgjithshme” duhet të jetë shprehje e mosbindjes së përgjithshme civile dhe solidaritetit qytetar.