Dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë në të gjithë Sllovakinë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj politikave të kryeministrit Robert Fico, të cilin ata e akuzojnë si pro-rus.
Bëhet e ditur se vala e fundit e tubimeve antiqeveritare u nxit nga udhëtimi i Ficos në Moskë të enjten për të takuar presidentin rus Vladimir Putin, një vizitë e rrallë në Kremlin nga një udhëheqës i Bashkimit Evropian që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë në 2022.
“Sllovakia i përket Evropës, ne duam t’i përkasim Evropës për nga vlerat. Ne nuk i përkasim Rusisë, nuk duam në asnjë mënyrë të bashkëpunojmë me Rusinë dhe ky është qëndrimi ynë, të cilin duhet ta shprehim me edukatë, por me përgjegjësi”, tha Marian Kulich, drejtor i organizatës Peace for Ukraine.
Mundësia për të ndryshuar orientimin e politikës së jashtme të Sllovakisë dhe për t’u larguar nga Bashkimi Evropian dhe NATO, ishin ndër hapat e tjerë të fundit të kryeministrit që kanë ngjallur zemërim në mesin e protestuesve.
Protestat e së premtes u zhvilluan në 28 lokacione, shkruan euronews.
Ndërsa Fico akuzoi organizatorët dhe opozitën në fillim të kësaj jave se ishin në kontakt me një grup të paspecifikuar të huajsh, të cilët ai thotë se po punojnë për të krijuar një grusht shteti.
Fico i lidhi akuzat e tij me një raport sekret nga shërbimi i spiunazhit të vendit (SIS) që ai paraqiti në parlament të martën.
Detajet nuk dihen, por kryeministri sllovak tha publikisht se opozita planifikon të pushtojë ndërtesat qeveritare, të bllokojë rrugët, të organizojë një grevë mbarëkombëtare dhe të provokojë përleshje me forcat e policisë si pjesë e planit të supozuar për të rrëzuar qeverinë e tij.
“Ne shohim një strukturë që kërkon të shfrytëzojë këto takime, këto tubime, në radhë të parë për një përplasje të mundshme me forcat e sigurisë së shtetit, për të përshkallëzuar edhe më tej tensionet”, tha Fico.
Edhe pse udhëheqësit sllovakë deklaruan se situata ishte serioze, opozita e hodhi poshtë raportin dhe akuzoi SIS për keqpërdorim për qëllime politike.
Raportohet se të gjitha protestat publike antiqeveritare që nga betimi i kabinetit të Ficos më 25 tetor 2023, kanë qenë paqësore.
Ndryshe, pikëpamjet e Ficos për Rusinë kanë ndryshuar ndjeshëm nga ato evropiane.
Ai u kthye në pushtet vitin e kaluar pasi partia e tij e majtë Smer fitoi zgjedhjet parlamentare në një platformë pro-ruse dhe anti-amerikane.
Që atëherë, ai i ka dhënë fund ndihmës ushtarake sllovake për Ukrainën, ka sulmuar sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe u zotua të bllokojë Ukrainën që të bashkohet me NATO-n.
Fico është një figurë polarizuese në Sllovaki dhe i mbijetoi një atentati në maj 2024.