Lideri autoritar bjellorus, Lukashenka synon mandatin e shtatë mes kritikave nga Perëndimi

Evropë

Lideri autoritar bjellorus, Lukashenka synon mandatin e shtatë mes kritikave nga Perëndimi

Më: 26 janar 2025 Në ora: 11:21
Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, duke votuar në Minsk më 26 janar, në zgjedhje që janë cilësuar si farsë nga Perëndimi.

Bjellorusët dolën për të votuar të dielën në zgjedhje që pritet t’ia dhurojnë edhe një mandat tjetër pesëvjeçar presidentit autoritar Alyaksandr Lukashenka, i cili është mik i ngushtë i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Lufta e Rusisë në Ukrainë i ka bashkuar Lukashenkan dhe Putinin më shumë se kurrë më parë, pasi lideri autoritar ia ka ofruar Putinit vendin e vet si platformë për ta nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, ndërsa në vitin pasues u pajtua ta lejojë Moskën të vendosë armë taktike bërthamore në Bjellorusi.

Kjo e ka bërë 70-vjeçarin Lukashenka – i cili është mënjanuar dhe sanksionuar nga Perëndimi edhe para së të niste lufta – edhe më shumë të izoluar.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë para zgjedhjeve të dielën se votimi nuk mund të jetë i lirë dhe i drejtë, për shkak se mediat e pavarura janë të ndaluara në Bjellorusi dhe të gjitha figurat kryesore opozitare ose janë burgosur, ose janë detyruar të ikin nga vendi.

“Kjo është fyerje e hapur ndaj demokracisë”, shkroi në rrjetet sociale shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke e përshkruar votimin si farsë.

Udhëheqësja opozitare në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya, tha se Lukashenka po e orkestron rizgjedhjen e tij si pjesë e një “rituali për diktatorët”.

Lukashenka, dikur shef i fermës sovjetike, thotë se është populli ai që ka zgjedhur ta mbajë atë në pushtet që nga viti 1994.

Ai u zotuar gjatë një tubimi të premten se të sjellë “drejtësi, siguri dhe një det me mundësi”.

Ai përballet me katër kandidatë të tjerë, asnjëri prej të cilëve nuk ka bërë ndonjë sfidë apo kritikë serioze. Në përgjithësi, 6.9 milionë njerëz janë regjistruar për të votuar./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat