Protesta filloi para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme në Podgoricë me mbajtjen e një heshtjeje prej 13 minutash për viktimat e tragjedisë në Cetinje. Më pas studentë dhe qytetarë marshuan deri tek Kuvendi i Malit të Zi ku mbajtë fjalime.
Organizatorët përsëritën se nuk do të heqin dorë nga protestat deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.
Ata kërkojnë dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Danilo Sharanović, dhe zëvendëskryeministrit për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Aleksa Beçiq, demilitarizimin e shoqërisë, konfiskimin dhe shkatërrimin e armëve të paligjshme dhe të fshehura si dhe rishikimin e të gjitha lejeve për mbajtjen e armëve, përmirësimin e funksionimit të strukturave të policisë dhe përmirësimin e kujdesit për shëndetin mendor.
Shqetësim për reformat në polici
Qytetarët e Malit të Zi janë të shqetësuar për reformat e ngadalshme të policisë, e cila ka mungesë punonjësish dhe fondesh si dhe për grindjet burokratike dhe politike brenda qeverisë.
Grupi i studentëve"Kamo Śutra" është një grup joformal studentësh nga fakultete të ndryshme në Mal të Zi të mbledhur për një jetë më të sigurtë në vend. Ata thonë se nuk kanë lidhje me asnjë parti politike, andaj kërkojnë nga subjektet politike që t'i respektojnë dhe të kontribuojnë që protestat të mbeten protesta civile pa ngjyrime politike.
Përkrahje studentëve
Që nga protesta e parë studentët janë përkrahur publikisht nga një numër i konsiderueshëm profesorësh, nga krijues e artistë, nga sportistë, aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë si dhe nga dhjetra profesorë universitetesh nga Serbia.
Levizja studentore "Kamo sjutra” ia dorëzoi kërkesat kryeministrit Millojko Spajiq dhe pret që ai të deri më 1 shkurt të mbajë qëndrim në konferencë me gazetarë. Studentet thonë se nuk do të heqin dorë nga protestat deri në përmbushjen e kerkesave të tyre.
Roje në të gjitha institucionet arsimore të Cetinjës
Pas kërkesës nga qyteti i Cetinjës dhe propozimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit qeveria e Malit të Zi ka vendosur ndërkohë që të gjitha institucionet arsimore dhe edukative në Cetinje të sigurohen me roje fizike duke nisur nga fillimi i muajit shkurt.
Kjo masë sipas qeverisë tregon angazhimin e plotë të saj për të ofruar mbështetje për qytetarët e Cetinjës, që tragjedia që goditi këtë qytet mos të përsëritet më kurrë. Po ashtu janë angazhuar grupe për mbështetjeje psikologjike për nxënësit, mësuesit dhe prindërit dhe është hapur një linjë telefonike për ndihmë psikologjike dhe mbështetje për të gjithë ata që kanë nevojë pas ngjarjes tragjike në Cetinjë./DW