Protesta masive në Greqi, qytetarët kërkojnë drejtësi për aksidentin e Tempit

Evropë

Protesta masive në Greqi, qytetarët kërkojnë drejtësi për aksidentin e Tempit

Më: 26 janar 2025 Në ora: 15:45
Foto ilustrim

Mijëra grekë protestuan të dielën në mesditë në qytetet më të mëdha të Greqisë.

Protestuesit kërkuan drejtësi për aksidentin e Tempit, ku dy trena u përplasën më 28 shkurt 2023, duke shkaktuar vdekjen e 57 personave, përfshirë edhe 5 shtetas shqiptarë.

Ata kërkuan që përgjegjësit të vihen para ligjit dhe që procesi të jetë i drejtë, pasi familjarët e viktimave besojnë se qeveria po tenton të heqë përgjegjësitë e saj për këtë aksident.

Më herët, autoritetet lokale kishin kryer punime në zonën e aksidentit, duke mbuluar gjurmët e ngjarjes.

Familjarët e viktimave pohuan se njëri prej trenave transportonte ngarkesë të rrezikshme, por kjo është hedhur poshtë nga hekurudhat greke.

Në lidhje me këtë ngjarje, janë në ndjekje penale dhjetëra punonjës shtetërorë, ndërsa dy prej dëshmitarëve kryesorë humbën jetën në dy aksidente të dyshimta rrugore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat