Lukashenko pritet të fitojë mandatin e shtatë në një proces zgjedhor që opozita në Bjellorusi e cilëson farsë

Evropë

Lukashenko pritet të fitojë mandatin e shtatë në një proces zgjedhor që opozita në Bjellorusi e cilëson farsë

Më: 26 janar 2025 Në ora: 16:07
Një burrë voton në zgjedhjet presidenciale të Bjellorusisë, në një qendër votimi në kryeqytetin Minsk. 26 Janar 2025.

Presidenti autoritar i Bjellorusisë Alexander Lukashenko pritet të jetë fitues i zgjedhjeve që po mbahen sot, duke zgjatur qëndrimin e tij në pushtet, prej më shumë se 3 dekadash, në një proces zgjedhor që është refuzuar nga opozita, e cila e ka cilësuar atë një farsë.

Zoti Lukashenko, 70 vjeç, pritet të fitojë mandatin e tij të shtatë, 5-vjeçar, pas një fushatë, ku 4 kandidatët e tjerë formalë kanë lavdëruar qeverisjen e tij.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian i kanë cilësuar të manipuluara zgjedhjet e së dielës, për shkak të shtypjes ndaj kundërshtarëve politikë të Presidentit Lukashenko dhe ndalimit të medias së pavarur.

Alexander Lukashenko është në pushtet që nga viti 1994 dhe e ka drejtuar me dorë të hekurt vendin me 9 milionë banorë. Ai mbështetet tek përkrahja financiare dhe politike e Rusisë.

Kritikët e zotit Lukashenko, të cilët janë burgosur ose ndodhen në mërgim, i cilësojnë zgjedhjet si një farsë, duke i përshkruar si të ngjashme me ato të vitit 2020, pas së cilave pati muajsh të tëra protestash të pashembullta në historinë e vendit.

Zoti Lukashenko i lejoi Moskës të përdorte territorin e Bjellorusisë për të kryer sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainë në vitin 2022 dhe në Bjellorusi janë vendosur gjithashtu përkohësisht disa armë taktike bërthamore të Rusisë./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat