E mbijetuara e Holokaustit: Urrejtja sjell vetëm urrejtje

Evropë

E mbijetuara e Holokaustit: Urrejtja sjell vetëm urrejtje

Më: 28 janar 2025 Në ora: 08:35
Tova Friedman gjatë ceremonisë përkujtimore në Aushvic.

Kthimi te “muri i vdekjes” – ku u kryen shumë ekzekutime – mbetet një plagë ende e hapur për shumë të mbijetuar. Tova Friedman, një nga të mbijetuarat, kujtoi momentet e tmerrshme kur u nda nga babai i saj dhe u dërgua në kampin nazist të asgjësimit Auschwitz-Birkenau: “Na ngarkuan në vagona bagëtish, burrat veçmas dhe gratë veçmas. U mbajta fort pas dorës së nënës sime në atë vagon të errët, ndërsa britmat dhe lutjet e aq shumë grave të dëshpëruara depërtonin në shpirtin tim dhe më ndjekin edhe kësaj dite.”

Tova Friedman është një nga të mbijetuarat e Holokaustit dhe një nga folëset kryesore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit famëkeq nga forcat ruse. Me rastin e përkujtimit të kësaj dite, në Auschwitz ishin mbledhur jo vetëm të mbijetuar dhe të afërmit e tyre, por edhe shumë krerë shtetesh, mes tyre mbreti i Britanisë Karl III, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari Olaf Scholz dhe presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, si dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Rritja e ksenofobisë – një shqetësim aktual  

Të mbijetuarit shprehën shqetësimin për rritjen e antisemitizmit dhe ksenofobisë në Evropë dhe më gjerë. Leon Weintraub, një mbijetues i Auschwitz-it, deklaroi: “Ndjej dhimbje të thellë kur shoh në shumë vende evropiane, por edhe në Poloni, që njerëzit dalin në marshime haptazi me uniforma dhe parrulla naziste.” Të mbijetuarit kujtuan përgjegjësinë që mbartin për të paralajmëruar: “Asokohe ishim viktima në një boshllëk moral,” tha Tova Friedman. “Por kemi të gjithë një detyrim: jo vetëm për ta kujtuar, gjë që është shumë, shumë e rëndësishme, por edhe për të paralajmëruar se urrejtja gjeneron vetëm më shumë urrejtje, vrasje dhe më shumë vrasje.”

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier bëri thirrje që kujtesa për krimet dhe viktimat e nazizmit të mbetet gjallë. “Kujtesa nuk njeh përfundim dhe përgjegjësia gjithashtu nuk duhet të ketë një vijë përmbyllëse,” tha Steinmeier, pas vizitës së tij në memorialin Auschwitz-Birkenau. Steinmeier përmendi një rritje të sulmeve antisemitike në Gjermani, veçanërisht pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në vitin 2023 dhe luftës që pasoi në Gaza. “Asgjë nuk tregon më qartë se kujtesa nuk njeh fund dhe se përgjegjësia nuk duhet të ketë një përmbyllje,” theksoi ai.

Berlini kujton viktimat e Holokaustit me rastin e 27 janarit, Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Në këtë ditë, Porta e Brandenburgut ndriçohet me mbishkrimin «We Remember», duke nderuar 80-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit dhe asgjësimit Auschwitz nga Ushtria e Kuqe më 1945.Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Mbi një milion të vrarë 

Kampi i përqendrimit në Auschwitz të Polonisë, ishte një nga kampet më famëkeqe të asgjësimit të Gjermanisë naziste. Midis viteve 1940 dhe 1945, u vranë rreth 1.1 milionë njerëz. Kampi u bë simbol i përndjekjes naziste ndaj hebrenjve. Më 27 janar 1945, të burgosurit e fundit, të cilët nuk u detyruan të merrnin pjesë në marshimet e vdekjes, u çliruan nga Ushtria e Kuqe Sovjetike. 

Në vitin 2005, Kombet e Bashkuara shpallën 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Në Gjermani, kjo ditë përkujtimore për viktimat e nazizmit ishte shpallur që në vitin 1996 nga presidenti i atëhershëm Roman Herzog dhe u caktua më 27 janar. Parlamenti gjerman e përkujton këtë ditë të mërkurën, më 29 janar 2025 me një ceremoni solemne. /DW

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat