Liderët politikë të Gjermanisë dhe Danimarkës u takuan të martën në një shfaqje uniteti, ndërsa përballen me luftën hibride në Detin Baltik dhe aneksimin e mundshëm të Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara.
Kryeministrja daneze Frederiksen dhe kancelari gjerman Scholz diskutuan gjithashtu kërcënimin që paraqet Rusia dhe Kina.
Scholz iu referua incidentit të fundit në dëmtimin e kabllove nënujore në Detin Baltik, të cilin shumë ekspertë ia atribuojnë Rusisë dhe flotës fantazmë të anijeve të saj .
“Vetëm dje mësuam se një kabllo tjetër nën det ishte dëmtuar. Kjo tregon kërcënimin që paraqet flota fantazmë ruse. Me operacionin “Baltic Sentry” të NATO-s, ne do të përmirësojmë mbrojtjen e Detit Baltik dhe infrastrukturën kritike atje. Është e qartë se NATO mbetet “garantues i sigurisë sonë të përbashkët”, deklaroi Scholz duke argumentuar se kjo është arsyeja pse shumë aleatë kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e tyre të mbrojtjes vitet e fundit.
Kancelari iu referua një misioni të nisur së fundmi nga aleanca ushtarake e NATO-s, për të mbrojtur infrastrukturën nënujore në Detin Baltik.
Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen këmbënguli që Evropa të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj.
“Ne kemi nevojë për një Evropë më të fortë dhe më të vendosur, gjithnjë e më autonome të aftë për të mbrojtur dhe mbështetur interesat evropiane. I takon Evropës të përcaktojë të ardhmen e kontinentit tonë. Dhe unë mendoj se ne duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë, duke forcuar industrinë tonë të mbrojtjes.” theksoi ajo