Dorëheqja e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq po konsiderohet se është bërë vetëm që presidenti Aleksandër Vuçiq ta zgjat pushtetin e vet dhe ta heqë përgjegjësinë prej vetes. Pas protestave të mëdha në Beograd tash e sa kohë, vlerësohet se mundësi e vetme për t’i qetësuar protestuesit ishte dorëheqja e Vuçeviqit.
Dorëheqja e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq po konsiderohet se është bërë vetëm që presidenti Aleksandër Vuçiq ta zgjat pushtetin e vet dhe ta heqë përgjegjësinë prej vetes. Pas protestave të mëdha në Beograd tash e sa kohë, vlerësohet se mundësi e vetme për t’i qetësuar protestuesit ishte dorëheqja e Vuçeviqit.
Kështu thotë gazetari serb, Radomir Dimiq në një intervistë për KosovaPress, për çka thekson se kjo lëvizje e qeverisë së Serbisë nuk do t’i “qetësojë” protestuesit.
Ai potencon se me dorëheqjen e kryeministrit serb, Vuçiq ka dashur ta “shpëlajë” vetën nga përgjegjësia.
Dimiq: Dorëheqja e kryeministrit serb është bërë që Vuçiq ta zgjatë pushtetin e tij
"Pas protestave të studentëve më të mëdha që kanë qenë deri tash në Serbi prej kohës së Millosheviqit, kur ka pasur protesta të mëdha dhe kur nuk i ka mbetur asnjë opsion Millosheviqit. Tash i kemi protestë ndoshta edhe më të mëdha se që kanë qenë në kohën e kundër Millosheviqit në Beograd dhe në Serbi. Dorëheqja e kryeministrit Vuçeviq sot për mua nuk është lajm i madh. Sepse kur është në pyetje politika e Aleksandër Vuçiqit kjo ka qenë e pritur. E ka bërë për t'i qetësuar studentët. Me dorëheqjen e Vuçeviqit ai ka dashur të shpëlajë, tu thotë studentëve të Serbisë 'Unë nuk kam faj, por bashkëpunëtorët'. Është viktimizuar...Pushtetin në tërësi e ka pasur në dorë vetëm Aleksandër Vuçiqi, e jo Vuçeviqi. Kjo është një mënyrë që ta heqë përgjegjësinë prej vetes dhe tu thotë protestuesve 'Ndryshime kemi'. Për ta zgjatur mandatin dhe pushtetin e tij", thotë Dimiq.
Sipas tij, studentët protestues nuk duan dialog me Vuçiq, pasi siç thotë ai nuk e ka mbajtur asnjë premtim të dhënë karshi tyre.
Dimiq thotë se studentët nuk do të ndalen së protestuari, pavarësisht këtij vendimi.
Dimiq: Studentët nuk e pranojnë dhe nuk kënaqën me një dorëheqje të kryeministrit
"Studentët nuk e pranojnë dhe nuk kënaqën me një dorëheqje të kryeministrit. Dihet se kryeministri e ka pasur një rol protokollar, krahasuar me Aleksandër Vuçiqin. Këtu është hapur një rrugë tjetër. Një rrugë për një qeveri e cila duhet të themelohet jo vetëm prej njerëzve të regjimit të Aleksandër Vuçiqit. Por, edhe partive tjera... Përndryshe, studentët nuk dëshirojnë ndryshimet formale. Por, ndryshime të thella në shoqëri. Është korruptimi i sistemit të madh... Nuk është e vërtetë që studentët e Serbisë që bëjnë protesta kanë hyrë me dhunë nëpër objekte të institucioneve të qeverisë dhe Serbisë...Studentët nuk e duan dialogun me Vuçiqin. Deri tani çka ka premtuar Vuçiq, asnjë premtim nuk është realizuar", potencon Dimiq.
Ndërkaq, gazetari serb për KosovaPress thotë se Aleksandër Vuçiq nuk ka forcë e as interes që të shkaktojë trazira në rajon.
Ai shton se e vetmja mundësi që situata të stabilizohet është plotësimi i kërkesave të protestuesve.
Dimiq: Vuçiq e ka humbur potencialin për çdo aksion ekstrem në rajon
"Që të bënë diçka që mundet ai (Vuçiq), ndonjë situatë ta vështirësojë në rajon nuk besoj. As nuk ka forca, as nuk ka interes. Nuk ka interes sepse problemet e brendshme të cilat i ka, nuk e ka bërë rajoni, dikush nga jashtë...A është e mundshme të bëjë prapë luftën në rajon? Të luftojë me kë, si, çka. Ai e ka humbur potencialin për çdo aksion ekstrem në rajon. Nuk ka shans që mund të bëjë diçka në rajon. Studentët do të vazhdojnë aksionin, protestën deri sa kërkesat e tyre do të plotësohen. E vetmja mundësi që në Serbi, situata të stabilizohet është plotësimi i kërkesave të studentëve. Ata kanë kërkuar ndaljen e korrupsionit, standardin e studentëve, e njerëzve, ndryshimet të thella", thekson Dimiq.
Kryeministri Vuçeviq tha se dorëheqja e tij ka për qëllim uljen e tensioneve në Serbi.
Dorëheqje dha të martën edhe kryebashkiaku i Novi Sadit.
Shembja e çatisë në stacionin e trenit që la pas vetes 15 të vdekur, çoi në shpërthimin e pakënaqësive ndaj të presidentit popullist të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai është përballur me akuza për frenim të lirive demokratike në Serbi pavarësisht se kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian.