Një refugjat irakian, i njohur për aktet e tij kundër Islamit, u ekzekutua me armë zjarri të mërkurën vonë në Suedi, vetëm pak orë para se të shpallej vendimi i gjykatës për gjykimin e tij lidhur me djegien e Kuranit.
Salwan Momika, 38 vjeç, u vra në një banesë në qytetin Södertälje, afër Stokholmit, raportoi transmetuesi publik SVT. Momika ishte bërë i njohur për djegien publike të kopjeve të Kuranit gjatë protestave të vitit 2023, duke nxitur polemika dhe reagime të ashpra.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, gjykata e Stokholmit pritej të jepte vendimin të enjten për Momikën dhe një person tjetër të akuzuar për “shkelje të ligjeve kundër agjitacionit ndaj një grupi etnik ose kombëtar”. Megjithatë, pas vrasjes, njoftimi i vendimit është shtyrë.
I pandehuri tjetër në të njëjtin proces gjyqësor shkroi në rrjetin X të enjten: “Unë jam në radhë.”
Policia suedeze konfirmoi se një burrë u qëllua për vdekje rreth orës 22:00 në Södertälje, por nuk dha detaje shtesë mbi identitetin apo rrethanat e sulmit.
Mediat suedeze raportuan se në momentin e vrasjes, Momika ishte duke transmetuar drejtpërdrejt në rrjetin TikTok. Në një video të rishikuar nga Reuters, shihet policia duke sekuestruar një telefon dhe duke ndërprerë transmetimin live, i cili besohet se vinte nga llogaria e Momikës.