Francë, përmbytje rekord në perëndim të vendit

Evropë

Francë, përmbytje rekord në perëndim të vendit

Më: 30 janar 2025 Në ora: 13:46
Foto ilustrim

Tre rajone në Francën Perëndimore mbeten në alarm të kuq nga përmbytjet e sotme dhe qyteti Redon, pothuajse i izoluar, po përgatitet për një kulm historik.

E rrethuar nga lumenj, këneta dhe një kanal, zona Redon në Ille-et-Vilaine, në kufi me Morbihan dhe Loire-Atlantique, e cila ka gati 10 000 banorë, është veçanërisht e prekur.

Kulmi i përmbytjes nuk është përcaktuar ende. “Nuk do të arrihet sot. Sigurisht nesër”, sipas informacioneve të fundit nga bashkia e Redonit.

”Solidaritet me njerëzit atje që po përballen me përmbytjet”, shkroi presidenti Emmanuel Macron në X.

“E di mobilizimin dhe gjendjen e krijuar. Faleminderit për punën e bërë me ekipet e tyre dhe shërbimet shtetërore, angazhimin e të cilëve e përshëndes”, shtoi ai.

”Gjendja e fatkeqësisë natyrore do të shpallet në ditët në vijim”, tha ministrja për Tranzicionin Ekologjik, Agnès Pannier-Runacher.

Në total, që nga e diela, më shumë se 1 000 persona janë evakuuar në rajonin e Ille-et-Vilaine.

Këto përmbytje, të cilat nuk shkaktuan viktima, patën pasoja të shumta edhe në bujqësi, me stalla të përmbytura dhe fidanë të humbur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat