Pesë skiatorë kanë gjetur vdekjen në dy ortekë të veçantë në Alpet franceze të mërkurën, kanë konfirmuar zyrtarët lokalë.
Një ortek bore erdhi në Val-Cenis, në rajonin juglindor të Savoie, duke vrarë katër skiatorë norvegjezë, ndërsa një skiator zviceran vdiq më në veri në rajonin Haute-Savoie, afër Chamonix, shkruajnë mediat e huaja.
Tre nga norvegjezët gjetën vdekjen menjëherë, ndërsa një i katërti, një grua, vdiq në një spital aty pranë, pasi pësoi hipotermi të rëndë dhe një arrest kardiorespirator.
Ata ishin pjesë e një grupi më të madh prej shtatë skiatorësh dhe tre të tjerët ishin të palënduar.
Jacques Arnoux, kryebashkiak i Val-Cenis tha se “ishte një ortek me përmasa të mëdha që u shkaktua jashtë zonës së skive”.
Një ekip prej 10 specialistësh të shpëtimit malor u dërguan në operacion, tha një burim policor.
Viktima zvicerane, një grua 30-vjeçare, ishte duke bërë ski me vëllain e saj, i cili u dërgua në spital për kontrolle dhe babain e saj, i cili nuk u lëndua.