Humb ekuilibrin derisa po bënte foto në Bansko të Bullgarisë – bie për vdekje nga 600 metra lartësi turisti irlandez

Evropë

Humb ekuilibrin derisa po bënte foto në Bansko të Bullgarisë – bie për vdekje nga 600 metra lartësi turisti irlandez

Më: 30 janar 2025 Në ora: 14:16
Foto ilustrim

Një 29-vjeçar pësoi lëndime vdekjeprurëse pasi u rrëzua nga qindra metra lartësi ndërsa ishte në një resort skish në jug të Bullgarisë.

Turisti thuhet të ketë qenë pjesë e një grupi që po fotografonte peizazhin përreth, kur humbi ekuilibrin dhe ra nga një lartësi prej rreth 600 metrash në vendpushimin në Bansko, të martën pasdite.

Ai u gjet nga një ekip i shërbimit të shpëtimit malor dhe u dërgua në një spital në qytetin e afërt të Razlogut në një gjendje të rëndë me lëndime të shumta, thanë shërbimet e urgjencës.

Viktima – i cili ishte një shtetas irlandez – fillimisht do të merrej me ambulancën e vetme ajrore të vendit, por ‘për shkak të një mosfunksionimi teknik’ udhëtimi u ndërpre.

Ai u transportua me makinë dëbore përpara se të transferohej në një autombulancë, njoftoi agjencia bullgare e lajmeve Novinite.

Autoritetet tani po hetojnë pse helikopteri pësoi një defekt teknik.

“Turisti i lënduar është dërguar në spital në gjendje kritike, ku janë marrë masa për shpëtimin e jetës dhe është bërë vlerësimi i plotë i lëndimeve të tij”, tha mjeku Valentin Belçev.

Megjithatë ai mbeti në gjendje kritike dhe vdiq të mërkurën.

“Përkundër të gjitha përpjekjeve të ekipit tonë mjekësor, ai përfundimisht ai nuk i mbijetoi lëndimeve të rënda”, tha ndër tjera mjeku bullgar.

Bankso shtrihet në rrëzë të maleve Pirin, ku maja më e lartë, Vihren, ngrihet në një lartësi prej 2,914 metrash.

Një zëdhënës i Departamentit të Punëve të Jashtme ka thënë se është “në dijeni të rastit dhe është duke ofruar ndihmë konsullore”.

Tragjedia ndodhi në të njëjtën ditë që një britanik u humbi jetën pasi u përfshi nga një ortek ‘shumë i madh’ në Alpet Franceze. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat