Ukraina: Trupat e Koresë së Veriut nuk janë parë në front në tre javët e fundit

Evropë

Ukraina: Trupat e Koresë së Veriut nuk janë parë në front në tre javët e fundit

Më: 31 janar 2025 Në ora: 19:55
Video regjistrimet e transmetuara në një ekran televiziv në Stacionin Hekurudhor në Seul, në Korenë e Jugut, që tregojnë pamje të ushtarëve që besohet të jenë të Koresë së Veriut ndërsa presin në radhë të furnizohen nga Rusia, më 21 tetor, 2024/Arkiv/AP

Forcat ukrainase për operacione të veçanta nuk i kanë parë ushtarët e Koresë së Veriut në fushëbetejë në rajonin e Kurskut, në brendi të Rusisë, gjatë tre javëve të fundit, duke sugjeruar se ata janë detyruar të tërhiqen pas humbjeve që i pësuan, deklaroi një zëdhënës i ushtrisë të premten.

Sipas vlerësimeve ukrainase dhe perëndimore rreth 11 mijë ushtarë të Koresë së Veriut, aleatit të Rusisë, janë dislokuar në Kursk në mbështetje të forcave ruse. Rusia nuk ka konfirmuar e as mohuar praninë e tyre.

“Forcat për operacione të veçanta flasin vetëm për zonat ku janë të dislokuara dhe në bazë të kësaj ju njoftojmë se prania e trupave të Koresë së Veriut nuk është vërejtur të paktën për tre javë”, deklaroi zëdhënësi i këtyre njësiteve, Koloneli Oleksandr Kindratenko.

“Supozojmë që ata u detyruan të tërhiqen pasi përjetuan humbje të mëdha”, tha ai përmes një deklarate.

Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase për rajonin e Kurskut i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ai nuk mund ta komentonte publikisht situatën. Mbetet e paqartë se në cilat pjesë të rajonit të Kurskut janë të dislokuara forcat e operacioneve të veçanta.

Ukraina filloi një sulm të befasishëm në rajonin perëndimor të Kurskut në gusht, në përpjekje për të shpërqendruar forcat ruse drejt mbrojtjes së një fronti të ri, për të rritur moralin dhe për të fituar avantazh në terren që mund të përdoret më vonë.

Që nga atëherë, Rusia ka arritur të zmbrapsë trupat ukrainase, por deri më tani nuk ka arritur t’i largojë ato plotësisht.

Njësitet e rregullta ushtarake të Koresë së Veriut u inkuadruan në luftë në anën e Rusisë në muajin tetor, sipas Kievit dhe aleatëve perëndimorë, të cilët thonë se ata u dërguan në rajonin e Kurskut.

Presidenti Volodymyr Zelenksy deklaroi më 11 janar se dy ushtarë të Koresë së Veriut janë kapur të gjallë në fushëbetejë nga forcat speciale ukrainase.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat