Rusia i shpall 2 gazetarë të REL-it dhe pesë të tjerë si “agjentë të huaj”

Evropë

Rusia i shpall 2 gazetarë të REL-it dhe pesë të tjerë si “agjentë të huaj”

Më: 31 janar 2025 Në ora: 23:19
Ilustrim

Rusia i ka shtuar shtatë njerëz, përfshirë dy gazetarë të Radios Evropa e Lirë (REL), në listën e saj të gjatë të “agjentëve të huaj”.

Presidenti i REL-it, Stephen Capus, tha se ky vendim është pjesë e “një sulmi brutal ndaj mediave të pavarura”.

Ministria e Drejtësisë e Rusisë tha të premten se i vendosi ata në listën e saj për shkak të përfshirjes së tyre në mediat e huaja dhe, në disa raste, për shkak të, siç pretendoi, përhapjes së “informatave të rrejshme” për sistemin zgjedhor të Rusisë.

Ministria ruse nuk dha asnjë provë për këtë.

Akuza më e madhe ndaj shtatë personave në fjalë ishte, sipas Ministrisë ruse, kundërshtimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila po hyn në vitin e tretë prej se presidenti Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Qeveria e Putinit nuk lejon asnjë kritikë ndaj luftës dhe e ka përdorur ligjin tejet kufizues “agjentët e huaj” për t’i shtypur ata që e ngrenë zërin.

Të saposhpallurit “agjentë të huaj” janë: Dmitry Sukharev, gazetar i Systema, njësia hulumtuese ruse e REL-it; dhe Andrei Novashov, kontribues në Shërbimin rus dhe Shërbimin e Kaukazit të Veriut të REL-it. Që të dy jetojnë jashtë Rusisë.

Të tjerët janë Elizaveta Fokht dhe Ilya Abishev nga Shërbimi rus i BBC-së; kontribues i Meduzas, Vladimir Rayevsky; edukatori, shkrimtari dhe blogeri Dima Zitser; dhe Anton Suvorkin, videobloger që mbulon showbiz-in rus.

Rusia e nxori ligjin "agjent i huaj" në vitin 2012 dhe prej atëherë e ka zgjeruar legjislacionin për këtë kategorizim. Kritikët e Kremlinit, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore thonë se shteti rus e përdor këtë ligj si mjet për t’i përndjekur gazetarët e pavarur, mediat, aktivistët dhe organizatat e shoqërisë civile.

"Shpallja e gazetarëve të REL-it si agjentë të huaj është dëshmia më e re e sulmit brutal të Rusisë ndaj mediave të pavarura", tha presidenti i REL-it Stephen Capus, në një komunikatë më 31 janar.

"Pavarësisht përpjekjeve të Kremlinit për ta kriminalizuar lirinë e fjalës brenda dhe jashtë vendit, gazetarët tanë të guximshëm nuk do të tremben", shtoi ai.

Tre korrespondentë të Current Time, rrjetit televiziv dhe digjital në gjuhën ruse i drejtuar nga REL – Iryna Romaliyska, Oleksiy Prodayvoda dhe Oryna Fedorovykh – u shpallën agjentë të huaj në fillim të janarit.

Current Time, Shërbimi rus i REL-it dhe disa shërbime të tjera të lajmeve në gjuhën ruse të REL-it u kategorizuan si të tillë në vitin 2017.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat