Varri i themeluesit të partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Jean-Marie Le Pen është dëmtuar vetëm 3 javë pas varrimit të tij.
Policia në Francë po heton pasi varri i Jean-Marie Le Pen u vandalizua, më pak se tre javë pas varrosjes së themeluesit të Partisë së ekstremit të djathtë “Fronti Kombëtar” në Francë.
Një nga vajzat e tij, Marie Caroline Le Pen, postoi një foto të varrit në X, duke thënë se “nuk ka fjalë për të përshkruar individët që sulmojnë atë që është e shenjtë”.
“Ata që sulmojnë të vdekurit janë të aftë për të bërë më të keqen kundër të gjallëve”, shkroi ajo në X.
Guri që mbante emrin e tij ishte hedhur në tokë, ndërsa kryqi në majë të varrit ishte copëtuar, sipas gazetës franceze Le Monde.
Mbesa e Le Pen, anëtarja e Parlamentit Evropian Marion Marechal, shkroi në X: A mendoni se mund të na thyeni zemrat, të na frikësoni, të na dekurajoni? Përgjigja jonë do të jetë t’ju luftojmë gjithnjë e më shumë, brez pas brezi. Vendosmëria jonë do e mundë paturpësinë tuaj.
Ministri i Brendshëm francez Bruno Retailleau e quajti veprimin “një neveri absolute”, duke thënë në X se respekti për të vdekurit “është ajo që e dallon qytetërimin nga barbarizmi”.
Autoritetet në Brittany, ku ai u varros në një varr familjar, thanë se u lajmëruan për dëmet sot. Në një deklaratë ata u shprehën se “duke pasur parasysh ndjeshmërinë politike”, ka pasur mbikëqyrje të shtuar të policisë para dhe pas varrimit të tij. Patrullat e zonës do të fillojnë sërish kontrollet pas ngjarjes.