Borivoje Lazic, është një student serbë i cili jeton në Serbi por e flet dhe gjuhë shqipe. Ai është një nga studentët që i është bashkuar protestave të shumta të ndodhura ditët e fundit në këtë qytet.
Në një intervistë për Euronews Albania, ai ka ndarë disa detaje se si gjatë protestave kanë ndodhur kërcënime, sulme fizike por dhe ato pak mbështetje që kanë patur nga qytetarë të ndryshëm.
“Shumica e qytetarëve është bashkuar me ne dhe çdo protestë që është organizuar këtu është zhvilluar në mënyrën e duhur. Bllokadat kanë zgjatur për 24 orë, por përsëri udhëkryqet kanë funksionuar siç duhet, studentët kanë bërë dhe pastrimin e vendit dhe rrugëve. Javën e kaluar ka patur të rinj të cilët janë kërcënuar dhe ka pasur prani të dhunës nga mbështëtës të qeverisë.
Një mbrëmje, Presidenti Vuçiç dhe kryeministri ishin live në një televizion teksa kanë deklaruar se duan të flasin me studentët dhe se nuk duan më dhunë, por një natë më pas, dy studentë janë kërcënuar dhe goditur në Universitetin e Drejtësisë në Novi Sad nga mbështetësit e qeverisë dhe kundërshtarët e lëvizjes studentore. Një nga të dhunuarit ishte një vajzë e cila besoj se është ende në spital. Ajo ka dëmtime në pjesën kockave të fytyrës”, tha studenti.
Nga ana tjetër, i pyetur nëse flitet për këto protesta të studentëve apo të jenë pro lëvizjeve të tyre edhe nga mediat serbe, ai ka thënë se mediat që janë ngushtë me partinë në pushtet, janë kundër studentëve dhe bllokadave, por zhvillohen debate edhe brenda për brenda televizionit kombëtar serb.
“Në përgjithësi nuk flitet për rastin tonë dhe protestat që zhvillojmë kur bëhet fjalë për mediat që janë të lidhura ngushtë me partinë qeverisëse. Por ka edhe raste mbështetëse. Në një emision që flitej rreth bllokadave dhe studentëve, ishte një profesor pro protestave i cili na ka mbështetur”, tha Borivoje Lazic.
Ndërkaq, Lazic ka shpjeguar se arsyeja për të cilën po i zhvillojnë këto protesta ka të bëjë me funksionimin në mënyrë të duhur të gjërave në Serbi, larg korrupsionit. Ai shton se nuk është dorëheqja e Presidentit Vuçiç synimi i studentëve.
“Duam që gjërat në Serbi të funksionojnë pa korrupsion por në mënyrë të drejtë. Përgjegjësit të mbajnë përgjegjësitë e tyre, nuk kemi kërkuar dorëheqjen e Presidentit”, tha ai.
Gjithashtu, studenti serb ka folur për zhvillimin e një tjetër proteste këtë të shtunë ku studentët do të mblidhen përsëri në Novi Sad për një tjetër bllokadë e cila do të zgjasë deri në orët e pasditës.
“Sot do zhvillohet protesta e radhës e cila ka nisur që të enjten në mëngjes. Studentë të cilët janë nisur nga Novi Sad do të jenë përsëri aty edhe sot. Do mbajmë 15 minuta heshtje dhe do kemi një bllokadë të tri urave në Novi Sad që do zgjasë deri pasdite. Mendoj që do jetë një protestë masive dhe ajo çfarë kam vënë rë është se edhe qytetarët e thjeshtë duan të ndihmojnë studentët”, ka thënë studenti Borivoje Lazic.