Një numër i madh qytetarësh nga Beogradi dhe qytete të tjera u nisën në orët e paradites me vetura drejt Novi Sadit për të mbështetur studentët dhe kërkesat e tyre, gjë që ka ngadalësuar trafikun në disa pjesë të autostradës.
Para pikës së pagesës pranë Novi Sadit, automjetet kanë zënë kilometra të tërë autostrade, duke pritur në dy kolona për t’u afruar te stacioni i pagesës dhe për të hyrë në qytet.
Sipas njoftimeve të Ndërmarrjes Publike „Putevi Srbije“, në pikën e pagesës Novi Sad Jug, rreth orës 13:00, pritja e mjeteve ishte rreth 20 minuta, shkruan N1.
Në Novi Sad, në orën 15:00 pritet të nisë protesta me bllokimin e të tre urave, për të shënuar tre muaj nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor dhe vdekja e 15 personave.
Në organizim të studentëve të Novi Sadit, të cilëve iu bashkuan edhe kolegë nga Beogradi që shkuan të premten në mbrëmje me këmbë ose me biçikleta, fillimisht do të bllokohen të tre urat për tre orë, ndërsa nga ora 18:00 bllokada do të vazhdojë në Urën e Lirisë, ku të dielën në orën 15:00 pritet të mbahet një mbledhje e hapur me qytetarët.
Ndryshe, pakënaqësitë u rritën ndaj udhëheqjes së shtetit serb nga presidenti Aleksandar Vuçiq pas tragjedisë në Novi Sad, kur u shemb një strehe e jashtme prej betonit në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku mbetën të vdekur 15 persona ndërsa vetëm këtë javë mori përgjegjësinë kryeministri, Milosh Vuçeviq, i cili dha dorëheqje prej postit.