Janari iku dhe mbase ata që e respektuan muajin e parë të vitit esëll, mezi pritën datën 1 shkurt. Ose të tjerët po e mendojnë më mirë marrëdhënien e tyre me alkoolin edhe në muajt në vijim. Çuditërisht, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish në Gjermani po shfaqin një qasje më të ndërgjegjshme ndaj konsumit të pijeve alkoolike.
Birra dhe vera kanë qenë për një kohë të gjatë pjesë e pandashme e kulturës në vendin e Oktoberfest (festa e birrës në Bavari).
Në Gjermani jo vetëm lejohet që të pish alkool në hapësirat publike por vendi lejon edhe adoleshentët e moshës 14-vjeçare që të konsumojnë alkool në praninë e prindërve. Gjermanët konsumojnë dyfish më shumë alkool se mesatarja botërore.
Në të gjithë vendin, baret, birraritë dhe restorantet mbeten vende të rëndësishme të ndërveprimit shoqëror, kontakt i cili ka në bazë alkoolin.
Birra mbetet pija e preferuar në mjedise të tilla. Gjermania prodhon mbi 5 mijë lloje në 1500 birrari, shumica prej tyre me një historik të gjatë.
Birra e pastër e murgjve
Në të shkuarën, në shekullin e parë pas Krishtit, historiani romak Tacitus e përshkroi popullin gjermanik si të apasionuar pas konsumit të birrës. Në mesjetë, murgjit gjermanikë filluan të prodhonin me zell birrë në manastiret e tyre, fillimisht për konsum vetjak dhe më vonë për shitje.
Në vitin 1516, "Ligji i Pastërtisë” (Purity Law) hyri në fuqi në Bavari me qëllimin për të kontrolluar cilësinë e birrës dhe për të garantuar përdorimin e vetëm tri përbërësve: ujë, elb dhe lulen e bimës "Humulus lupulus”. Ky është ligji më i
vjetër ushqimor që është ende në fuqi dhe shumë prej birrave vendase mburren ende me kalimin e provimit të pastërtisë.
Birraria e parë u hap në Mynih rreth 200 vjet më parë, aty ky sot organizohet një prej aktiviteteve më të mëdha të birrës në botë: Oktoberfest.
Bavaria, shteti jugor gjerman që organizon festivalin e përvitshëm të birrës, ushqimit dhe kulturës, prodhon më shumë se gjysmën e sasisë së të gjithë birrës vendase.
Traditë hyjnore e verës
"Birra është bërë nga njeriu, ndërsa vera nga Zoti” – pati thënë Martin Luther, njeriu që nxiti Reformimin Protestant në Gjermaninë e fillim-viteve 1500.
Për shekuj me radhë, gjermanët kanë prodhuar varietete të shumta të verës së kuqe dhe të bardhëme emra të vështira për t'u shqiptuar, si: Spätburgunder, Weissburgunder ose Müller-Thurgau. Varieteti më i zakonshëm mbetet gjithsesi Riesling. Varietetet e rrushit rriten kryesisht në kodrat e rajoneve jugperëndimore si: Rheinhessen, Pfalz, Baden dhe Mosel.
Versioni gjerman i shampanjës, Sekt, gjendet gjithashtu thuajse në të gjithë Gjermaninë. Marka më e famshme e prodhimit të sektit, Rotkäppchen, daton që prej vitit 1856.
Kompania u shtetëzua nga Gjermania Lindore pas Luftës së Dytë Botërore. Por me unifikimin e vendit, "Rotkäppchen” u privatizua dhe që atëherë prodhimi i saj njeh vetëm rritje, duke shitur qindra miliona shishe në vit.
Konsumi i alkoolit në rënie
Megjithatëbirra dhe vera po pihen më pak në Gjermani.
Konsumi vetjak i birrës është pakësuar me thuajse çerekun e sasisë së dikurshme. Në vitin 2013 një person konsumonte mesatarisht 107 litra në vit, ndërsa në vitin 2023 rreth 88 litra.
Konsumi i verës shënoi gjithashtu rënie. Në vitin 2023 një person konsumoi mesatarisht një litër më pak verë se viti paraardhës.
Gjermanët e çdo grupmoshe duan t'i shmangin kaloritë dhe sëmundjet që kanë si burim alkoolin. Shitja e birrës pa alkool është dyfishuar në 10 vitet e fundit.
Birra dhe vera mund të jenë pjesë e identitetit kulturor të Gjermanisë, megjithatë 1.6 milionë vetë janë të varur ndaj alkoolit dhe ky problem nuk duhet nënvlerësuar./DW