Vritet nga një shpërthim në Moskë themeluesi i një batalioni që lufton në Ukrainë

Evropë

Vritet nga një shpërthim në Moskë themeluesi i një batalioni që lufton në Ukrainë

Më: 3 shkurt 2025 Në ora: 12:47
Armen Sarkisian, themeluesi i një batalioni ushtarake që ka luftuar në Ukrainë së bashku me trupat ruse, u vra nga shpërthimi i 3 shkurtit në Moskë.

Autoritetet ruse njoftuan se një shpërthim në një kompleks banesor në Moskë ka lënë të vdekur disa njerëz, përfshirë themeluesin e një batalioni që lufton përkrah forcave ruse në Ukrainë.

Shpërthimi i 3 shkurtit është më i fundit në një valë shpërthimesh dhe sulmesh, duke ngjallur frikë për rikthimin e dhunës së bandave që kishte përfshirë kryeqytetin rus në vitet e ’90-ta.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, i citoi autoritetet të kenë thënë se mjeti shpërtheu rreth orës 9:45 në mëngjes. Mjeti me gjasë ishte dërguar në kompleksin banesor, Alye Parusa, nga korrieri.

Në mesin e viktimave ishte edhe Armen Sarkisian, themeluesi i një batalioni ushtarak me përkatësi armene, i cili ka luftuar në Ukrainë përkrah trupave ruse. Agjencitë e lajmeve Interfax dhe TASS cituan zyrtarë të paemëruar që thanë se ai vdiq pasi u dërgua në spital në gjendje të rëndë.

Dëshmitarët thanë se në kohën e shpërthimit, Sarkisian u pa duke ecur në një korridor të ndërtesës drejt një parkimi.

TASS citonte një zyrtar të paemëruar të forcave të rendit që tha se me gjasë ky ka qenë tentativë për vrasje.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.

Gazeta Kommersant raportoi se truproja i tij, Oleg Kasperovich, u vra dhe një truprojë tjetër u plagos rëndë.

Batalioni që Sarkisian thuhet se e ka themeluar quhet ArBat, tani formalisht pjesë e Redut, një rrjet mercenarësh të mbështetur nga inteligjenca ushtarake ruse.

Autoritetet ukrainase e kanë akuzuar Sarkisianin për përfshirje në dhunën e protestave të rrugës Maidan në Kiev në vitin 2014.

Sipas mediave ukrainase, ai gjithashtu është mik i ngushtë i ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili iku në Rusi pas protestave të Maidanit në vitin 2014.

Në prill të vitit 2018, Sarkisian u ndalua në Francë, ku po priste ekstradimin në Ukrainë. Megjithatë, ai u lirua pas dy ditësh "me garanci personale".

Shpërthimi i së hënës është i dyti në muajt e fundit në kryeqytetin rus që ka tronditur banorët dhe ka ngjallur frikën për rikthimin e dhunës në rrugë që Moska e përjetoi gjatë viteve ‘90.

Në dhjetor, një gjeneral i lartë i forcave ruse të mbrojtjes kundër armëve kimike dhe biologjike u vra kur një skuter elektrik shpërtheu në trotuar pranë ndërtesës së tij./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat