Mbi 6 mijë persona kanë braktisur Santorinin, ishullin e famshëm grek, nga frika e tërmeteve në seri që vazhdojnë prej 3 ditësh.
Santorini ka marrë një pamje të shkretë. Rrugica pa njerëz. Hotelet luksoze bosh. Dyqane të mbyllura.
Aty ku gëlonte gjallëria, sot në ishullin e famshëm mbizotëron heshtja.
Sipas mediave greke, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë larguar mbi 6 mijë persona përmes rrugëve detare dhe fluturimeve. Ndërsa një ditë më parë, banorët e kaluan natën jashtë shtëpive të tyre.
Në këtë periudhë, zakonisht kryhet rinovimi dhe mirëmbajtja e ndërtesave për t’u përgatitur për sezonin turistik veror. Mirëpo puna është ndalur për shkak të aktivitetit sizmik të shtuar.
Edhe shkollat e kopshtet janë mbyllur, jo vetëm në Santorini, por edhe në 6 ishuj të tjerë aty pranë në Detin Egje.
Situatën sizmike po e mbajnë nën monitorim ekspertët. Në ishull janë dërguar ekipe të emegjencës. Aty po qëndrojnë edhe ekspertë sizmiologë si dhe gazetarë që raportojnë zhvillimet.