​Vuçiq: Qeveria e re nga 20 marsi ose zgjedhjet e parakohshme

Evropë

​Vuçiq: Qeveria e re nga 20 marsi ose zgjedhjet e parakohshme

Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 23:24
Aleksandar Vuçiq

Qeveria e Serbisë, nëse formohet, duhet të formohet deri më 19 ose 20 mars, e nëse jo, kjo do të thotë se zgjedhjet me shumë mundësi do të mbahen në fillim të majit, tha Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Duke folur sonte për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), Vuçiq vuri në dukje se dorëheqja e qeverisë dhe kryeministrit Millosh Vuçeviq duhet të shpallet më së voni rreth 17 shkurtit.

Ai tha se kjo do të thotë se afatet 30-ditore për formimin e qeverisë apo shpalljen e zgjedhjeve do të fillojnë të shkojnë nga 17 shkurti, transmeton AA.

Sipas tij, këto janë dy opsione të përcaktuara me Kushtetutë dhe se do të ishte në radhë të parë mirë që të tentohet të krijohet “një qeveri e mirë”.

Vuçiq tha se do të vazhdojë të këmbëngulë për dialog me studentët që protestojnë në qytetet serbe pas shembjes së një tende në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, kur 15 persona vdiqën dhe tre u plagosën rëndë.

Ai tha gjithashtu se nuk i intereson kush do të merr pjesë në dialog, pasi “çdo bisedë është shëruese”, duke shtuar se “ata mund të bisedojnë me kë të duan.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat