Britania e Madhe e ka emëruar Karen Pierce si emisare speciale për Ballkanin Perëndimor, njoftoi të premten Ambasada britanike në Kosovë.
Pierce, e cila është ndër diplomatet britanike më me përvojë, do të ketë për detyrë t’i çojë përpara synimet strategjike të Britanisë në vendet e Ballkanit, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnje e Hercegovinë, thuhet në njoftim.
Kjo përfshin edhe mbajtjen e samitit të Procesit të Berlinit me liderët e këtyre vendeve në vjeshtën e vitit 2025, sipas Ambasadës.
Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.
Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që ta rrisin bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe gradualisht t'i afrojnë ato më pranë BE-së. Në kuadër të Procesit të Berlinit, ndër vite, janë bërë disa marrëveshje dhe deklarata, por shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.
“Britania e Madhe është e përkushtuar ta përforcojë partneritetin në Ballkanin Perëndimor, duke e forcuar sigurinë evropiane dhe duke e luftuar problemin tonë të përbashkët të imigrimit të parregullt”, tha Ambasada britanike në Facebook.
Pierce po e merr këtë post pas pesë vjetëve si ambasadore e Britanisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në të kaluarën, ajo ka qenë edhe ambasadore britanike në Kombet e Bashkuara. Nga viti 2002 deri më 2006, ajo shërbeu si koordinatore për Ballkanin./REL