Zelenski, pritshmëri për bisedime “intensive” me Presidentin Trump për t'i dhënë fund luftës

Evropë

Zelenski, pritshmëri për bisedime “intensive” me Presidentin Trump për t'i dhënë fund luftës

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 21:38
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy nuk ka konfirmuar se do të takohet javën tjetër me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, por tha se javët e ardhshme mund të jenë "shumë intensive në kuadrin diplomatik".

Presidenti Trump tha më 7 shkurt se ka të ngjarë të takohet me homologun ukrainas Zelenski javën e ardhshme. Vendi i takimit "mund të jetë Uashingtoni", tha ai, duke shtuar se nuk do të shkonte në Kiev.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se "ndoshta" mund të fliste së shpejti me Presidentin rus Vladimir Putin, por nuk dha një afat kohor. Presidenti ukrainas Zelenski tha se është e rëndësishme që ai dhe zoti Trump të takohen personalisht përpara takimit të Presidentit amerikan me atë rus.

Zoti Zelenskyy nuk konfirmoi një takim me Presidentin Trump, por tha se aktiviteti diplomatik do të shtohet.

"Javët e ardhshme mund të jenë shumë intensive në kuadrin diplomatik dhe ne do të bëjmë atë që është e nevojshme për ta shfrytëzuar kërë periudhë në mënyrë efektive. Ne e vlerësojmë gjithmonë bashkëpunimin me Presidentin Trump", tha ai menjëherë pasi foli zoti Trump.

"Po ashtu ne po planifikojmë dhe bisedime në nivel ekipesh. Tani për tani ekipet ukrainase dhe amerikane po punojnë mbi hollësitë e një takimi. Mund të afrojmë mundësinë për një të qëndrueshme dhe afatgjatë", tha ai.

Në deklaratat e tij më herët në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara përsëriti se ai është i interesuar të lidhë ndihmën e vazhdueshme ushtarake me qasjen në lëndët e para të Ukrainës.

"Një nga gjërat që po shikojmë me Presidentin Zelenskyy është që të kemi garanci për pasuritë e tyre. Ata kanë pasuri nën tokë. Ne po kërkojmë të bëjmë një marrëveshje me Ukrainën, ku do t’u garantojmë atë që po u japim ndërsa ata na garantojnë për pasuritë e tyre nëntokësore”, tha ai në 3 shkurt.

Në 7 shkurt, Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara duan "një sasi të barabartë përfitimi" në këmbim të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara. “Ne do të donim përfitime të barabarta”, tha zoti Trump.

Më shumë se 10 minerale, duke përfshirë minerale të rralla si nikeli dhe litiumi, konsiderohen kritike për ekonominë dhe mbrojtjen kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ukraina ka depozita të mëdha të uraniumit, litiumit dhe titanit./Voa

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat