Shkollat në katër ishuj grekë do të qëndrojnë të mbyllura javën e ardhshme pasi një seri tërmetesh po vazhdojnë të tronditin rajonin, njoftuan autoritetet.
Santorini, Amorgos, Anafi dhe Ios kanë përjetuar më shumë se 800 lëkundje me magnitudë 3 ose më të lartë që nga 1 shkurti.
Bëhet e ditur se ky aktivitet sizmik ka çuar në një eksod të konsiderueshëm të banorëve dhe turistëve, veçanërisht nga Santorini, me një numër prej 16,000 banorëve që janë larguar.
Ndërsa frekuenca e tërmeteve është ulur pak, 11 lëkundje me magnitudë 4 ose më shumë goditën ishujt të shtunën, sipas Institutit të Gjeodinamikës së Athinës.
Tërmeti më i madh, me magnitudë 4.9 ballë, ndodhi në orën 11:00.
Pavarësisht nga aktiviteti sizmik i vazhdueshëm, nuk raportohet për dëme të mëdha apo viktima, shkruan the Independent.
Ndërsa ekspertët thonë se nuk mund të përjashtojnë tërmete më të forta.
Ndryshe, tërmeti më i fortë i shekullit të 20-të në Greqi, me magnitudë 7.7, goditi afër Amorgos në korrik 1956, duke vrarë 53 persona.
Ekspertët thanë se lëkundjet e fundit nuk kanë të bëjnë me vullkanin e Santorinit, i cili rreth vitit 1600 pes prodhoi një nga shpërthimet më të fuqishme në historinë njerëzore.
Një vullkan i dytë aty pranë shpërtheu rreth 375 vjet më parë.
Raportohet se Greqia është një nga vendet më të prekura nga tërmetet në Evropë.
Por aktiviteti i lartë sizmik në zonën e Santorinit është i paprecedentë, kanë thënë sizmologët, duke paralajmëruar se mund të zgjasë me javë ose muaj.
Aktiviteti i shtuar sizmik i ka shtyrë autoritetet të zbatojnë masa shtesë paraprake, duke përfshirë kufizimin e trafikut në zonat e listuara si të pambrojtura ndaj rrëshqitjeve të gurëve.