Vendet baltike lidhen me rrjetin energjetik evropian pas shkëputjes nga rrjeti rus

Evropë

Vendet baltike lidhen me rrjetin energjetik evropian pas shkëputjes nga rrjeti rus

Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 16:12
Foto ilustrim

Estonia, Letonia dhe Lituania thanë të dielën se kishin sinkronizuar me sukses sistemet e tyre të energjisë elektrike me rrjetin energjetik kontinental evropian, një ditë pas ndërprerjes së lidhjeve të vjetra energjetike me Rusinë dhe Bjellorusinë.

E planifikuar për shumë vite, shkëputja komplekse nga rrjeti energjetik ish-sovjetik synonte të thellonte integrimin e tre vendet baltike me Bashkimin Evropian dhe të rriste sigurinë energjetike të rajonit.

“Ne ia dolëm!”, tha presidenti letonez Edgars Rinkevics në një postim në rrjetin social X.

Pas shkëputjes të shtunën nga rrjeti “IPS/UPS”, i krijuar nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1950, që tani menaxhohet nga Rusia, vendet baltike ndërprenë linjat e transmetimit të tensionit të lartë ndërkufitar në Letoninë lindore, rreth 100 metra nga kufiri rus.

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, vetë një estoneze, më herët këtë javë e quajti këtë ndryshim "një fitore për lirinë dhe unitetin evropian".

Rajoni i Detit Baltik është në gatishmëri të lartë pas ndërprerjeve të kabllove të energjisë, lidhjeve të telekomit dhe tubacioneve të gazit midis Balltikut dhe Suedisë dhe Finlandës. Të gjitha besohej se ishin shkaktuar nga anijet që tërhiqnin spiranca përgjatë shtratit të detit pas fillimit të sulmit në shkallë të gjerë nga Rusia në Ukrainë. Rusia ka mohuar akuzat për përfshirje në këto incidente.

Polonia dhe vendet baltike dislokuan mjete të marinës, njësi policore elitare dhe helikopterë pasi një linjë nënujore e energjisë, që lidh Finlandën me Estoninë u dëmtua në dhjetor, ndërsa ushtria e Lituanisë filloi stërvitjet për të mbrojtur linjat tokësore me Poloninë.

Analistët thonë se më dëmtimi i linjave energjetike mund të shkaktojë rritje të çmimit të energjisë elektrike në vendet baltike në nivele që nuk janë parë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, kur çmimet e energjisë u rritën në nivel të lartë.

Rrjeti “IPS/UPS” ishte lidhja përfundimtare e mbetur me Rusinë për të tre vendet baltike, të cilat fituan pavarësinë në fillim të viteve 1990 pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe në vitin 2004 u bënë anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Tre mbështetësit e fortë të Kievit ndaluan blerjet e energjisë nga Rusia pas fillimit të sulmit në shkallë të gjerë të Moskës kundër Ukrainës në vitin 2022, por janë mbështetur në rrjetin energjetik rus për të stabilizuar rrjetet e tyre energjetike dhe për të shmangur ndërprerjet./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat