Bashkimi Evropian (BE) thotë se nuk ka asnjë justifikim të arsyeshëm që SHBA-ja të vendosë taksë doganore prej 25 për qind për importet e çelikut dhe aluminit dhe se në një rast të tillë do të mbrojë evropianët nga masat e padrejta.
Komisioni Evropian publikoi një deklaratë me shkrim lidhur me mundësinë e zbatimit të tarifave shtesë nga SHBA-ja ndaj çelikut dhe aluminit të BE-së.
"Në këtë fazë nuk është marrë asnjë njoftim zyrtar nga SHBA-ja lidhur me aplikimin e tarifave shtesë për produktet e BE-së. BE-ja nuk sheh asnjë justifikim për aplikimin e tarifave ndaj eksportit të saj. Ne do të reagojmë për të mbrojtur interesat e bizneseve, punonjësve dhe konsumatorëve në Evropë nga masat e pajustifikuara", thuhet në deklaratë, transmeton AA.
Më tej theksohet se BE-ja dhe SHBA-ja kanë krijuar zinxhirë prodhimi shumë të integruar përmes tregtisë dhe investimeve dhe se zbatimi i tarifave do të jetë në kundërshtim me ligjin dhe do të paraqesë efekte të kundërt në aspektin ekonomik.
Në vazhdim tërhiqet vëmendja se tarifat në thelb nënkuptojnë taksa. Me vendosjen e tarifave, SHBA-ja do të vendosë taksa për qytetarët e saj, do të rrisë kostot e bizneseve të saj dhe do të nxisë inflacionin.
Gjithashtu thuhet se vendosja e taksave doganore nga SHBA-ja do të rrisë pasigurinë ekonomike dhe do të prishë efikasitetin dhe integrimin e tregjeve globale.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi dje se do të vendoste tarifa prej 25 për qind për importet e çelikut dhe aluminit. Trump njoftoi se alumini dhe çeliku nga Kanadaja dhe Meksika do të jenë subjekt i tarifave.
Trump tha se nesër ose të mërkurën do të shpallë tarifa të bazuara në reciprocitet. "Ata marrin nga ne 130 për qind taksa ndërsa ne nuk marrim asgjë prej tyre. Kjo nuk do të mbetet kështu", potencoi ai.