Një samit dyditor për AI ka nisur në Paris. Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zëvendëspresidenti i SHBA J.D. Vance dhe kryeministri indian Narendra Modi janë ndër ata që pritet të marrin pjesë në takimin, i cili mbledh së bashku rreth 1500 pjesëmarrës nga rreth 100 vende. Në sektorin e teknologjisë, shefi i Google, Sundar Pichai dhe Sam Altman, njeriu pas ChatGPT, kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre. Nuk dihet ende nëse do të jetë i pranishëm edhe Elon Musk.
Tryeza të shumta të rrumbullakëta i kushtohen mundësive të përdorimit të AI në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe punës. Një çështje për diskutim do të jetë gjithashtu se si të shuhet etja për energji në qendrat e të dhënave dhe si të trajtohet çështja e rregullimit.
Përballë konkurrencës së ashpër nga gjigantët amerikanë dhe kinezë të IA, presidenti francez Emmanuel Macron dëshiron që Evropa të mos mbetet prapa në këtë teknologji të së ardhmes. Evropa duhet të jetë në zemër të revolucionit të IA dhe të ndihmojë në formësimin e tij. Ky takim vjen pas dy samiteve ndërkombëtare për IA, në vitin 2023 në Britaninë e Madhe dhe vitin e kaluar në Kore.
"Kontinenti duhet të veprojë"
Disa ditë më parë, start-up-et gjermane dhe franceze kishin bërë thirrje për forcimin e inteligjencës artificiale në Evropë. Kontinenti duhet të veprojë urgjentisht për të siguruar sovranitetin e tij teknologjik, thanë ata në një deklaratë të përbashkët të shoqatës së Start-up France Digitale dhe të Rrjetit Evropian i Startupeve (European Startup Network). Raporti i fundit i BE për konkurrencën thotë se që nga viti 2017, 70% e modeleve të AI në mbarë botën janë zhvilluar në SHBA.
Ndërkohë, Franca e sheh veten si lojtare kryesor në IA, tha Macron. Kompanitë globale do të investojnë 109 miliardë euro në infrastrukturën franceze të IA gjatë viteve të ardhshme. Macroni i referohet me krenari startup-it francez Mistral AI. I themeluar në maj 2023, Mistral konsiderohet, së bashku me kompaninë gjermane të IA Aleph Alpha nga Heidelbergu, si një nga kompanitë e pakta evropiane të IA që janë konkurruese në tregun amerikan.
Diskutim për rregullat
Në këtë kontekst, debati për rregullimin aktual të AI në BE do të luajë një rol të rëndësishëm. Ndërsa kritikët e shohin ligjin e parë gjithëpërfshirës në botë për inteligjencën artificiale si pengesë ndaj inovacionit, mbështetësit thonë se rregulloret, të cilat për shembull ndalojnë disa aktivitete të IA si ndjekja biometrike në distancë, janë absolutisht të nevojshme.
"Është e vërtetë që kemi një boshllëk të madh inovacioni, jemi mbrapa, por në të njëjtën kohë kemi edhe shumë pika të forta. Kemi studiues të shkëlqyer në Evropë kur bëhet fjalë për këto teknologji kuantike të IA, përfshirë gjysmëpërçuesit", tha Komisionerja Evropiane për Digjitalizimin Henna Virkkunen. "Por tani ne duhet të sigurohemi që kuadri ynë rregullator është vërtet i favorshëm për inovacionin."
Në janar, Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi se OpenAI, SoftBank dhe Oracle do të investojnë 500 miliardë dollarë në infrastrukturën e IA gjatë katër viteve të ardhshme për të ndihmuar SHBA-në të mbetet përpara Kinës dhe rivalëve të tjerë në garën globale të AI. Si krahasim, BE planifikon të investojë katër miliardë euro deri në vitin 2027 – në një kombinim fondesh publike dhe private./DW