Një mësues amerikan lirohet nga burgu rus

Evropë

Një mësues amerikan lirohet nga burgu rus

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 22:01
Marc Fogel

Një mësues amerikan, i cili po e vuante një dënim me burgim 14-vjeçar për posedim të marihuanës, është liruar në një marrëveshje këmbimi, tha Shtëpia e Bardhë të martën.

Marc Fogel ishte arrestuar nga policia ruse në vitin 2021 më të mbërritur në Moskë, nën akuzat se posedonte marihuanë mjekësore, dhe u dënua një vit më vonë. Fogel kishte thënë se marihuana i ishte përshkruar pas një operacioni në shpinë.

Fogel, i cili dha mësim në Shkollën Anglo-Amerikane në kryeqytetin rus pas një periudhe në Ambasadën amerikane, ishte anashkaluar në këmbimet e mëparshme të të burgosurve midis SHBA-së dhe Rusisë.

"Sot, presidenti Donald J. Trump dhe i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, janë në gjendje të njoftojnë se Witkoff po largohet nga hapësira ajrore ruse me Marc Fogel", thuhet në komunikatë.

"Presidenti Trump, Steve Witkoff dhe këshilltarët e presidentit negociuan një këmbim që shërben si një shenjë e vullnetit të mirë nga rusët dhe një tregues se po lëvizim në drejtimin e duhur për t'i dhënë fund luftës brutale dhe të tmerrshme në Ukrainë", thuhet tutje në njoftim.

Shtëpia e Bardhë nuk tregoi se kë e ka liruar në këmbim të Fogelit.

Në gusht të vitit 2024, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera realizuan këmbimin më të madh të të burgosurve që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duke liruar 16 persona, përfshirë gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva.

Të liruarit përfshinin gjithashtu reporterin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe ish-marinsin amerikan Paul Whelan – nga burgjet ruse dhe bjelloruse.

Tetë rusë u kthyen në atdhe./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat