Zyrtari i lartë i kabinetit Trump vizitë në Kiev mbi çështjen e mineraleve

Evropë

Zyrtari i lartë i kabinetit Trump vizitë në Kiev mbi çështjen e mineraleve

Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 15:57
Scott Bessent, Zelensky

Sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent, po viziton të mërkurën Kievin për të diskutuar një marrëveshje kritike lidhur me mineralet. Vizita vjen mes përpjekjeve të Ukrainës për të fituar mbështetjen e Presidentit amerikan Donald Trump në një moment delikat diplomatik të luftës me Rusinë.

Zoti Bessent, zyrtari i parë në nivel kabineti i Presidentit Trump që viziton Ukrainën, pritet të takohet me Presidentin Volodymyr Zelenskiy. Ky i fundit ka thënë se është i hapur për një marrëveshje me Uashingtonin dhe se shpreson të marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara për t'i dhënë fund luftës me Rusinë.

Disa orë para mbërritjes së zyrtarit të lartë amerikan Kievi u gdhi nën gjëmimin e një sulmi me raketa balistike ruse, që shkaktoi vdekjen e një personi.

Presidenti Trump, i cili thotë se do t’i japë fund shumë shpejt gjakderdhjes, nuk ka thënë nëse ka në plan të vazhdojë ndihmën jetike ushtarake për Kievin. Megjithatë zoti Trump ka kërkuar nga Ukraina 500 miliardë dollarë në minerale të rralla e ka shtuar shtuar se mbështetja e Uashingtonit duhet ‘të garantohet’.

Një burim amerikan në dijeni të çështjes tha se zoti Bessent, do ta përdorte vizitën për të diskutuar një marrëveshje strategjike mbi mineralet. Marrëveshja do të përfshinte gjithashtu edhe burimet dhe objektet energjetike si dhe ndërmarrjet shtetërore.

Pohimet e tij mund t'i referohen pjesërisht një ideje për të përdorur depot e mëdha nëntokësore të Ukrainës për të ruajtur gazin natyror amerikan për Evropën, diçka që zoti Zelenskiy ka thënë se po diskutohet mes Kievit dhe Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve ‘Reuters’ javën e kaluar zoti Zelenskiy përcaktoi konturet një marrëveshjeje të mundshme, duke shpalosur një hartë që tregon depozitat e shumta minerale. Ai tha se nuk po i "dhuronte ato", por po ofronte një partneritet reciprokisht të dobishëm për zhvillimin e tyre.

Vizita është një shenjë e prekshme e interesit real të SHBA-ve për Ukrainën, që po mirëpritet nga Kievi që po sheh me shqetësim e nervozizëm se si ekipi i Presidentit Trump ka ndërvepruar me Presidentin rus Vladimir Putin.

Të martën, Rusia liroi një shtetas amerikan të burgosur, pas një vizite në Moskë nga i dërguari i posaçëm i SHBA-ve Steve Witkoff, zyrtari i parë i lartë amerikan që ka vizituar Rusinë, që para sulmit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat