Vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, si dhe Komisioni Evropian lëshuan një deklaratë të përbashkët të mërkurën në mbështetje të Ukrainës dhe thanë se do të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e saj.
"Ne presim të diskutojmë mbi rrugën përpara, së bashku me aleatët tanë amerikanë.
Objektivi ynë i përbashkët duhet të jetë forcimi i pozicionit të Ukrainës", thuhej në deklaratën, që përfshinte gjithashtu Poloninë, Italinë dhe Spanjën.
Presidenti Donald Trump diskutoi për luftën në Ukrainë të mërkurën në telefonata të veçanta me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, hapi i parë madhor diplomatik i presidentit amerikan për një luftë të cilën është zotuar se do ta ndalë.