“E ardhmja përmes kujtimit”: Drezden 80 vjet pas bombardimit

Evropë

“E ardhmja përmes kujtimit”: Drezden 80 vjet pas bombardimit

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 08:32
Shkatërrimi i qendrës historike të Drezdenit nga bombardimet më 13 shkurt 1945

Falë Victor Klemperer ne kemi në dorë përshkrimet për shteruese të një dëshmitari okular lidhur me sulmet ajrore ndaj Drezdenit më 13 dhe 14 shkurt 1945 në fund të Luftës së Dytë Botërore. Romancieri dhe linguisti Klemperer e ka dokumentuar në ditarin e tij të famshëm infernon e bombardimit të Drezdenit: 

"Dëgjohej gjithnjë e më me shpejtësi gjëmimi me ulje ngjitje i skuadriljeve që afroheshin, dritat shuheshin, një shpërthim në afërsi … Pushim i frymëmarrjes, i kërrusur në gjunjë mes karrikeve, nga disa grupe njerëzish ndjen dridhjet dhe të qarat – një tjetër gjëmim duke u afruar, një gjendje e re e të qenit në tehun e vdekjes, një goditje e re. Unë nuk e di se sa shpesh përsëritej kjo."

Klemperer, i cili i përkiste hebrejve të konvertuar në kristianizëm, u mbijetoi dy tragjedive: shkatërrimin e Drezdenit përpara 80 vjetësh me deri në rreth 25.000 të vdekur dhe Holokaustin, asgjësimin sistematik të gjashtë milionë njerëzve të besimit hebre nga nacionalsocialistët. Origjinalet e ditareve të tij me rëndësi historike për periudhën e nazizmit në vitet 1933 deri më 1945 ndodhen sot në Bibliotekën Shtetërore të Landit të Saksosninë, dhe Universitetit të Drezdenit (SLUB).

Mendime të vdekjes në orët e rrezikut më të madh

Victor Klemperer mbijetoi infernon e Drezdenit për fije, me shumë fat. Por në ditarin e tij ai përshkruan mendimet për vdekjen:

"Para meje ndodhej një shesh i madh i lirë, në mes një gyp i përbindshëm. Gjëmim, dritë e fortë, goditje. Unë nuk mendoja asgjë, nuk kisha madje as frikë, ishte një tension i tmerrshëm, unë besoja se po pres fundin."

Në një paragraf tjetër ai shënon:

"Nuk mund ta dalloja individin, shikoja vetëm flakë anë e mbanë, dëgjoja buçimën e zjarrit dhe të stuhisë, ndieja një tension të brendshëm të llahtarshëm."

Shkatërrimi vetëm në 23 minuta

Më 13 shkurt u nisën 245 avionë katër-motorik të tipit "Lancaster" nga Anglia. Kjo ishte flota e 5-të bombarduese britanike. Destinacioni i saj: Drezdeni, qytet anës Elbës. Një qytet që asokohe kishte 630.000 banorë me - siç vlerësohej - edhe rreth qindra mijëra refugjatë. Drezdeni nga pikëpamja strategjike dhe ekonomike ishte i parëndësishëm për ecurinë e luftës në përgjithësi, fati i së cilës qe përcaktuar tashmë qysh në vitin 1944.

Në orën 21:39 gjëmuan sirenat e alarmit në qytetin anës Elbës. Rreth 3.000 bomba të rënda shpërthyese, 250 bomba me rreze djegëse dhe 400.000 bomba flakëhedhëse vërshuan mbi "Firencen e Elbës', siç quhet ndryshe Drezdeni, i cili shquhet për bukurinë arkitektonike dhe pasurinë e artefakteve. E gjitha kjo ndodhi në vetëm 23 minuta. Qendra e qytetit u bë prush në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ndriçimi i zjarrit ishte aq intensiv sa që pilotët britanikë kanë protokolluar se kanë parë Drezdenin të digjet që nga distanca mbi 320 kilometra dhe nga 6.700 metra lartësi. Nxehtësia arrinte temperatura, që shkrijnë edhe qelqin e shisheve nëpër bodrumet e farmacive. Gjatë dy valëve të sulmit të bombarduesve britanikë dhe një sulmi pasues të SHBA u rrafshuan rreth 15 kilometra katror të qytetit.

Përse u piketua Drezdeni si objektiv i sulmit ajror?

Në shkatërrimin e Drezdenit ishin të përfshirë pilotë britanikë dhe amerikanë, por njëri kishte komandën: Arthur Harris, "komandant i përgjithshëm" i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF). Njeriu i Churchill-it i ngarkuar për bombardimin masiv të Gjermanisë naziste, një mjet lufte për të demoralizuar armikun.

Ashtu si shumë oficerë të aviacionit ushtarak edhe jashtë Mbretërisë, Harris besonte në superioritetin ushtarak të bombarduesve. Që në fillim të vitit 1943 ai besonte se vetëm nga ajri pa mobilizimin e trupave të këmbësorisë do të mund ta çonte Gjermaninë drejt kapitullimit. Një vit më pas, në 1944, Harris arrin në konkluzionin, se 45 nga 60 qytetet e mëdha gjermane ishin shkatërruar. Duke përfshirë edhe Këlnin e Hamburgun. Tani duhet të përfundojë pjesa tjetër, kërkoi ai. Drezdeni është një prej tyre.

Luftë qyteteve

Disa historianë shohin në bombardimin e Drezdenit një element të rritjes së bashkëpunimit ushtarak mes fuqive perëndimore dhe Bashkimit Sovjetik në etapën e fundit të luftës. Pasi kishte mbetur në vendnumëro ofensiva e Forcave Aleate kundër Gjermanisë në Frontin Perëndimor që nga fundi i 1944, në të njëjtën kohë që Ushtria e Kuqe po përparonte më shpejt në lindje, Churchill-i në janar, pak para Konferencës së Jaltës, udhëzoi të verifikohej nëse tani "Berlini ... e gjithashtu edhe qytete të tjera të mëdha në lindje të Gjermaninë... .ndoshta nuk ishin objektiva që ia vlenin." E gjitha kjo për t'i tërhequr vëmendjen Moskës, sepse Stalini kishte dyshime. Për vite të tëra ai kishte kërkuar nga fuqitë perëndimore, hapjen e një fronti të dytë në Perëndim. Një tezë tjetër ndjek logjikën: Meqënëse sovjetikëve u ishte premtuar Gjermania Qendrore si zonë e pushtimit para Konferencës së Jaltës, britanikët dhe amerikanët u turrën me një vrull të shfrenuar shkatërrimi ndaj Drezdenit dhe qyteteve të tjera në Lindje të Gjermanisë.

Por pavarësisht nga kjo, Drezdeni ishte në planin e Harris-it. Dhe ka pasur paralajmërime shumë kohë përpara 13 shkurtit. Lajmet e radiove si dhe gazetat e vendeve aleate paralajmëronin skenarin, se çdo qytet gjerman mund të kthehej në një qytet-front, për aq kohë sa vazhdonte lufta. Drezdeni ishte përveç kësaj edhe një udhëkryq i rëndësishëm i linjave hekurudhore si të Lindjes edhe të Perëndimit, ashtu edhe të Veriut e Jugut. Gjithashtu aleatët e konsideronin Drezdenin si një qendër të mundshme të tërheqjes së Hitlerit dhe nazistëve në rast se do të ndërpriteshin nyjet e qarkullimit Berlin dhe Lajpcig si linja furnizimi. Drezden pra ishte në fokus dhe Churchill-i ishte padyshim më shumë se vetëm një tolerues i praktikave të pamëshirshme të strategut të tij të aviacionit Harris. Këtë ai e ka deklaruar pak para vdekjes së tij, se Drezdeni "në atë kohë konsiderohej nga njerëz që ishin shumë më të rëndësishëm se unë, si një domosdoshmëri ushtarake".

Diskutimi për numrin e viktimave

Fati i këtij qyteti të mrekullueshëm pavarësisht shumë vragave nga plagët e luftës është një shembull që të mëson, se si legjendat e mitet thuren me paramendim nga ekstremistët e djathtë. E të luftosh ndaj tyre është e vështirë – edhe pse ato janë të gabuara dhe të sajuara. Shumë e diskutueshme ka qenë çështja e numrit të viktimave nga këto bombardime, që shfrytëzohet vazhdimisht nga forcat ekstremiste. Për dekada me radhë është spekuluar për këto shifra. Flitej për 70.000 të vdekur, si serioze u provua shifra 35.000 - por edhe kjo bazohej vetëm në vlerësime. Më 2004 Këshilli i qytetit të Drezdenit krijoi një komision ndërdisiplinor, i cili duhet të merret me çështjen: Sa vetë vdiqën gjatë bombardimeve më 13., 14. dhe 15 shkurt 1945? Komisioni Drezden ka arritur në konkluzionin e vet. 25.000 të vdekur prej bombave e ka llogaritur ai dhe ky numër është paraqitur në raportin përfundimtar, i cili u publikua në vitin 2010.

Kur bie errësia, krijohet një varg njerëzish me drita

Shoqëria civile mbrohet ndaj ekstremizmit dhe spekulimeve me mite e legjenda. Në Drezden është gjithmonë mbresëlënës vargu me njerëz e drita, që manifestohet çdo 13 shkurt në të dy anët e Elbës. Kjo mënyrë përkujtimi organizohet në qytet që nga viti 2010. Mijëra njerëz në heshtje bashkohen dora dorës për të dëgjuar këmbanat në përkujtim të viktimave dhe njëkohësisht për të demonstruar kundër ekstremzmit të djathtë.

Nën moton "E ardhmja përmes kujtimit" qyteti ka ftuar në 80 vjetorin e bombardimit dëshmitarë të asaj kohe dhe të rinj nga Drezdeni si dhe nga qytete të tjera europiane. Kryebashkiaku i Drezdenit, Dirk Hilbert, është entuziast për takimin ndërkombëtar në qytetin e tij: "Ata, që ende e kujtojnë çfarë ka ndodhur, takohen me ata, të cilët këto kujtime do t'ia përcjellin brezit të ardhshëm e kësisoj do ta përçojnë atë në të atrdhmen."

Eshtë një detyrë e përbashkët – si sot edhe nesër -, të angazhohemi me vendosmëri për demokracinë, të drejtat e lirisë dhe paqes, thekson Hilbert. "Pikërisht tani në kohë sfidash çdo shprehje e guximit, çdo kontribut sado i vogël është mbështetje e çmuar." /DW

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat