Vetura godet turmën e njerëzve në Munih, disa të lënduar

Evropë

Vetura godet turmën e njerëzve në Munih, disa të lënduar

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 12:22
Ekipet emergjente në vendin e ngjarjes, ku një veturë goditi turmën në Munih të Gjermanisë, 13 shkurt.

Një person e ka përplasur veturën e tij në një grup njerëzish në Munih të Gjermanisë, duke i lënduar disa njerëz, tha Policia gjermane të enjten.

Autoritetet nuk kanë treguar sa njerëz janë lënduar, e as nuk kanë dhanë hollësi të tjera për incidentin, përfshirë nëse ata u goditën qëllimshëm.

Një operacion i gjerë policor është duke u kryer në zonën Dachauer Strasse, tha Policia, duke shtuar se shoferi është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe nuk përbën më rrezik.

Transmetuesi publik rajonal, Bayerischer Rundfunk, raportoi se të lënduarit po merrnin pjesë në një grevë.

Ndërkohë, gazeta gjermane Bild raporton se 15 njerëz janë lënduar.

Konferenca e Sigurisë në Munih pritet të nisë të premten, ku do të marrin pjesë edhe nënpresidenti amerikan, JD Vance, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Incidenti ndodhi rreth 1.5 kilometra nga vendi ku do të mbahet konferenca e sigurisë./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat